TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia 3 Qershor 2026, 16:30

Si u kthye pylli i Zvërnecit në truall ndërtimi dhe shkrirja e Kadastrës së Vlorës nga "mikesha" e Gys Agasit; Lorena Goxhobelli

Shkruar nga Pamfleti
Si u kthye pylli i Zvërnecit në truall ndërtimi dhe shkrirja e
Lorena Goxhobelli/

Pylli i Zvërnecit u kthye në truall nën mandatin e Lorena Goxhobellit. Kreu i ASHK nxori udhëzimin, shkriu Kadastrën e Vlorës dhe u vu nën lupën e SPAK. "Mikesha" e Ergys Agasit, "porta" ku grupi kriminal pastronte paratë përmes pronave të regjistruara me letra false..

Më 23 janar 2026, drejtoresha e përgjithshme e Kadastrës, Lorena Goxhobelli, firmosi shkrirjen e Drejtorisë Vendore të Kadastrës në Vlorë dhe transferimin e të gjithë strukturës në Tiranë. Vendimi hyri në fuqi më 1 shkurt dhe shkaktoi revoltë të menjëhershme. Punonjësit e Kadastrës së Vlorës ngritën peticion, pezulluan punën në shenjë proteste dhe e lidhën hapur vendimin me frikën e Goxhobellit nga SPAK. Pas protestave në Zvërnec, SPAK kreu kontrolle dhe sekuestroi dokumentacionin pikërisht për pronat që bien nën juridiksionin e asaj zyre që Goxhobelli shkriu. Zvërneci nuk administrohej nga Tirana, administrohej nga Vlora. Vlorën ajo e mbylli me firmën e saj.

Origjina e pronave të Zvërnecit nuk i përket mandatit të Goxhobellit. Bërthama e dokumentacionit që SPAK po heton shkon prapa në kohë, tek një vendim i gjykatës së Vlorës i dhjetorit 1997 për kthimin e rreth 100 hektarëve pyll trashëgimtarëve të familjes Shehu, vendim që prokuroria e cilëson të falsifikuar, dhe tek një varg certifikatash pronësie të lëshuara nga Kadastra e Vlorës më 25 nëntor 2020 për tri nga parcelat kryesore.

Të gjitha këto akte u prodhuan nga drejtues të mëparshëm të agjencisë, vite para se Goxhobelli të merrte detyrën më 31 korrik 2024. Por një certifikatë pronësie mbi tokë të regjistruar si pyll në një zonë të mbrojtur nuk mjafton për të ngritur një resort. Toka duhet të rikualifikohet, statusi i saj kadastral duhet të konvertohet nga pyll në truall të ndërtueshëm dhe kufijtë e zonës së mbrojtur duhet të lexohen ndryshe. Ky transformim, hapi i fundit dhe thelbësor për të kaluar nga një parcelë e pashfrytëzueshme në një truall gati për zhvillim, përkon plotësisht me mandatin e Goxhobellit.

Mekanizmi ligjor që e bëri të mundur këtë transformim u vu në lëvizje përmes ndryshimeve ligjore të shkurtit 2024, të cilat për herë të parë i trajtuan zonat e mbrojtura jo si territore që ruhen nga zhvillimi, por si territore ku zhvillimi mund të negociohet. Më 12 qershor 2024 Këshilli i Ministrave miratoi Vendimin Nr. 377 që përcaktoi procedurat për konvertimin e zërit kadastral dhe për kalimin e sipërfaqeve të pronës shtetërore në pronë private.

Më 18 shtator 2024, më pak se dy muaj pasi mori detyrën, Goxhobelli nxori Udhëzimin Nr. 1557 që rregullon teknikisht ndarjen, bashkimin dhe rikualifikimin e pasurive në regjistrin kadastral. I gjithë trau ligjor dhe administrativ për të kthyer pyllin e Zvërnecit në truall ndërtimi u kompletua nën mbikëqyrjen e saj.

Pyetjet që i përkasin Goxhobellit

Pyetjet që shtrohen për mandatin e Goxhobellit janë konkrete dhe nuk kanë të bëjnë me atë çfarë ndodhi në 1997 apo në 2020.

A janë kryer mbi parcelat e Zvërnecit veprime konvertimi të zërit kadastral, ndarjeje apo bashkimi pasurish, ose rikualifikimi statusi pas korrikut 2024?

Cilat kartela u mbyllën dhe cilat të reja u hapën për këto sipërfaqe?

Çfarë roli pati zyra vendore e Vlorës, pikërisht ajo që Goxhobelli shkriu në janar 2026, në finalizimin e këtyre veprimeve para se struktura të zhdukej dhe arkivi të transferohej në Tiranë?

Një zonë e mbrojtur mjedisore nuk kalon në pronë private të ndërtueshme pa një varg veprimesh kadastrale që përfshijnë ndryshimin e statusit të parcelave në regjistër, regjistrimin e kalimeve të pronësisë dhe lëshimin e certifikatave. Dokumentacioni që prokurorët po mbledhin është prodhim i ASHK-së dhe kalon përmes drejtorisë vendore që Goxhobelli vendosi ta shkrijë.

Kadastra e kapur nga krimi

Rasti i Zvërnecit nuk është i vetmi. Raporti Vjetor 2025 i SPAK e thotë hapur se Agjencia Shtetërore e Kadastrës është kapur nga krimi i organizuar. SPAK specifikon se grupet kriminale kanë arritur të vendosin njerëzit e tyre në pozicione kyçe të ASHK-së për të lehtësuar pastrimin e parave përmes pronave dhe ndërtimit. Vetëm gjatë vitit 2025 janë sekuestruar 11 milionë euro pasuri të paluajtshme në Vlorë dhe Gjirin e Lalzit, 16 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë të Kadastrës janë vënë nën hetim pasuror dhe skemat e zbuluara kishin kaluar përmes dokumenteve të falsifikuara që nuk mund të prodhoheshin pa bashkëpunimin e drejtpërdrejtë të kullës së ASHK-së.

Dy sportele, një grup kriminal: "Mikesha" e Erys Agasit dhe lidhja me AKSHI

Pikërisht këtu dosja e ASHK takohet me dosjen AKSHI. Kur SPAK nisi hetimet për grupin kriminal të Ergys Agasit, hetuesit zbuluan se ky grup nuk operonte vetëm me tenderat e teknologjisë. Grupit nuk i mjaftonin paratë e vjedhura përmes kontratave publike, i duheshin edhe mekanizmat për t'i pastruar ato. Për të kaluar pronat në emër të anëtarëve të grupit ose për t'i tjetërsuar, Agasi kishte nevojë për Kadastrën. E gjeti nëpërmjet "mikeshës" së tij.

Lorena Goxhobelli po hetohet nga SPAK brenda dosjes AKSHI bashkë me grupin Agasi, jo si dëshmitare, jo si zyrtare e shkujdesur, por nën të njëjtën lupë me ustallarët e tenderave. Në dosje rezulton se çdo pjesëtar i grupit Agasi kishte akses të pakufizuar tek ajo. Goxhobelli u bë porta përmes së cilës këto prona kalonin për pastrim parash. Njëlloj si në AKSHI ku manipuloheshin tenderat dhe vidheshin paratë e taksapaguesve, në ASHK legalizoheshin pronat dhe pastroheshin paratë. I njëjti grup, i njëjti operacion, dy sportele.

Blockchain-i dhe kontratat që mungojnë

Goxhobelli ka pretenduar se ka ngritur 10 shërbime të automatizuara përmes teknologjisë blockchain dhe se 10 deri në 15 përqind e shërbimeve ditore gjenerohen automatikisht nga sistemi, pa ndërhyrje njeriu. Ka dyshime të forta se grupi i strukturuar kriminal, ku bëjnë pjesë Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, kishin në dorë të gjitha të dhënat, transaksionet brenda dhe jashtë vendit për shtetas shqiptarë e të huaj, kompanitë, si dhe njerëz të ekspozuar politikisht.

Sipas SPAK, i njëjti grup dyshohet se kishte në dorë të gjitha të dhënat që lidheshin me dosjet gjyqësore, caktimin e gjyqtarëve dhe ecurinë e seancave. Grupi kontrollonte tenderin për dosjet gjyqësore, ato të thesarit dhe, sipas burimeve, edhe ato të Kadastrës. Kjo është pika ku dosja AKSHI takohet me dosjen e Lorena Goxhobellit në një pikë teknike, jo thjesht politike. Sipas vetë Goxhobellit, ASHK po digjitalizon plotësisht arkivin e Kadastrës deri në fund të 2026, me 33 mijë planshete dhe miliona dokumente.

Kush e ka pasur kontratën e digjitalizimit të arkivit të ASHK-së?

A ka qenë kompani e lidhur me grupin Agasi?

Cila ka qenë roli i AKSHI-t në infrastrukturën IT të ASHK-së gjatë periudhës 2024-2026?/Pamfleti

 

lorena goxhobelli zvërnec kadastra vlore

10 Komente

  1. J
    Jeta

    Jam per barazi dhe respekt maksimal per femrat shqiptare. Por, me habit fakti se gjithkind pothuajse pas çdo afere kriminale qëndrojnë femrat!? Kush po i trajtohen ato keshtu? Po perdoren apo e bejne se jane njësoj si meshkujt. Apo, ndoshta kjo eshte barazi edhe ne krim!

    1. i
      iuh

      Jane perfaqesuese te biznesit te piset te meshkujve..me shpresen se nuk i denojne se helbete , femra!

    2. P
      Pak nga të gjitha.

      Në Shqipëri sidomos dhe jo vetëm mbas çdo gruaje me pozicione të rëndsishme shtetrore qëndron një burrë në shumicën e rasteve problematik emërtimi më i butë. Rama i mbulon me demagogji ...

      1. K
        Kurban

        Me sa duket krisma ka patur! Ku ka tym ka dhe zjarr e peshku qelbet nga koka! Me qe ra fjala ASHK - AKSHI - AZHT varen nga kryeministri. Si ka mundësi ky ngeli Kurban? Vetëm këta u ngopën kumbulla e dardha pas shpinës se tij? I gjori ky kaq naiv dhe i paaftë? Paska zgjedhj gjithë ekipin e gabuar?

        1. V
          VIN KRIMBI

          VETEM DETYREN KA BO

          1. T
            Tafili

            Të gjitha këto veprime arbitrare janë bërë me urdhër të Ramës.

            1. E
              Ed Ram Sal - illari

              O njerz VK po si shkoni mas i psikopati mer amon! Ene Aleksandri modh kur pushtooi gjysmen e botes tha QR qeka vk kjo puna e tafmos. Ne kur vdiq tha mi leni durt jasht tferkoj topet e qenve se smora gjo me vete…

              1. T
                Tony

                Po behet liste e gjate e ketyre zarbove. Burku i pret te gjithe, meqenese jane bere shume mire eshte edhe per popullin se do na nxjerrin crom falas.

                1. B
                  Bac

                  Cdo pron ka nje emer

                  1. L
                    Lule

                    Po qeveria bënte sehir me këto vendime

                    Lini një Përgjigje