Sipas planit, emrat e ngelur në veting do të duhet të largohen nga institucionet ku janë punësuar pas shkarkimit dhe po ashtu duhet të hetohen...
Qeveria është kujtuar në fund të procesit të vetingut, për të marrë masa ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë përjashtuar nga sistemi.
Janë me qindra emrat që kanë dalë nga sistemi, mirëpo pjesa dërrmuese e tyre kanë pasuri prej sheikësh, teksa vijojnë punë si avokatë, japin mësim në Shkollën e Magjistraturës, në universitete të ndryshe dhe madje punojnë në KLGJ, KLP dhe organet e tjera të drejtësisë.
Por Bashkimi Europian, madje dhe SHBA e kanë kërkuar disa herë që ata të ndëshkohen. Në shumë raporte që ka nxjerrë BE, kërkohet që ata të mbajnë përgjegjësi penale për aferat. Por qeveri duket se është kuruar tani, ndoshta edhe këtë herë sa për sy e faqe.
Qeveria ka publikuar Strategjinë Ndërsektoriale 2024-2030 lidhur me drejtësinë. Përveçse parashikohet një ndryshim i thellë në thuajse të gjitha Kodet dhe shumë ligje, kërkohet që të merren masa ndaj të ngelurve në veting. Sipas planit, ata do të duhet të largohen nga institucionet ku janë punësuar pas shkarkimit.
“Projektpropozimet për ndryshimet në ligjin për qeverisjen e organeve te drejtësisë me qëllim vendosjen e dispozitave te qarta ligjore mbi përjashtimet e ish-magjistratëve te shkarkuar/dorëhequr gjatë procesit të vetting-ut nga ushtrimi i detyrave dhe aktiviteteve ne institucionet e qeverisjes së drejtësisë (KLGJ, KLP, ILD, SHM)”, thuhet në draft. Sipas tij, ky element pritet të realizohet në vitin 2025.

Po ashtu deklarohet se do të bëhet një analizë e rasteve që i janë referuar SPAK-ut nga organet e vettingut, duke përfshirë gjendjen aktuale të çështjeve në SPAK
“Pasqyrë e çështjeve të vetting-ut të përfunduara me qëllim referimin në SPAK, aty ku ka indicie te rasteve të subjekteve të dorëhequr nga procesi sipas Nenit G të Aneksit Kushtetutes. Prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm do të vlerësojmë me prioritet çdo referim të ardhur nga KPK, KPA, çdo institucion apo individ lidhur me ish prokurorë apo gjyqtarë të shkarkuar nga procesi i rivlerësimit. Analiza të rregullta për hapjen e hetimeve penale në bazë të gjetjeve të vettingut dhe procedimet penale të përfunduara me vendim të formës së prerë”, janë disa prej objektivave.
Shumë gjyqtarë dhe prokurorë, pasi ngelën në veting ju drejtuan Shkollës së Avokatisë, duke u bërë avokatë. Edhe pse deri dje shumë prokurorë luftuan fort që të futeshin në burg shumë keimenelë, tani janë bërë avokatë të tyre. Ndërkohë shumë të tjerë janë bërë pedagog të brendshëm, dhe të jashtëm në Shkollën e Magjistraturës. Po ashtu shumë emra të shkarkuar rezultojnë në listën e ekspertëve të aktiviteteve trajnuese pranë Shkollës së Magjistraturës. Mbetet të shihet nëse qeveria do ta ketë seriozisht këtë herë, ndonëse deri më tani kemi parë që vetë gjyqtarët dhe prokurorët mbrojnë njëri-tjetrin. I vetmi që e ka pësuar deri më sot është Bashkim Dedja. Por dhe ai nuk bëri asnjë ditë burg. Gjithë te tjerët ja kanë hedhur paq. /Pamfleti
Lini një Përgjigje