Një grup pune i Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë është përballur me kërcënime gjatë ushtrimit të detyrës në zonën e Freskut, ku po verifikonte një sinjalizim për lidhje të paligjshme me rrjetin e ujit nga një kopësht.
Sipas burimeve, grupi i përbërë nga hidrauliku, faturuesi, inxhinieri dhe shefja e shitjes kishte shkuar në terren pas një denoncimi për ndërhyrje të jashtëligjshme në rrjet. Ambienti ku ndodhet kopshti në fjalë, rezulton të jetë dhënë me qira nga dhëndri i ish-kreut të Komunës së Dajtit, Kujtim Qefalia.
Pas kontrollit u zbulua se kishte ndërhyrje të paligjshme në rrjet. Por grupi i UKT është përballur me kërcënime. Fillimisht punonjësit janë kontaktuar në telefon nga shtetasi Dëfrim Buzhiqi, i cili sipas tyre është shoferi personal i Qefalisë, dhe janë kërcënuar që të ndërprisnin verifikimet. Më pas, sipas deklarimeve, telefonata kërcënuese janë bërë edhe nga vetë Kujtim Qefalia.
Situata është tensionuar më tej kur në vendngjarje është paraqitur shoferi, duke fyer dhe kërcënuar punonjësit. Këta të fundit më pas kanë bërë denoncim në polici.
Burime bëjnë me dije se gjatë verifikimit është konstatuar një lidhje e paligjshme me rrjetin e ujësjellësit, ndërsa rasti pritet të hetohet nga policia për kërcënimet e raportuara dhe për shkeljet e mundshme ligjore.
Lini një Përgjigje