TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet29 Prill 2026, 15:45

Kush e kërcënon Irena Gjokën? Rriten masat e sigurisë për gjyqtaren, mbrojtje speciale për të dhe familjen

Shkruar nga Pamfleti
Kush e kërcënon Irena Gjokën? Rriten masat e sigurisë
Irena Gjoka

Komisioni për mbrojtjen e gjyqtarëve ka vendosur masa shtesë sigurie për gjyqtaren e Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka, pas indicieve për rrezikimin e saj. Vendimi është marrë në një tryezë ku marrin pjesë përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Drejtësisë, anëtarë të Këshillit të Lartë të Gjyqtarëve, drejtuesi i Gjykatës së Posaçme Erjon Bani, si dhe zyrtarë të Policisë së Shtetit.

Sipas vendimit, përveç gardës që ka për detyrë ruajtjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve të SPAK, për Gjokën do të angazhohen edhe efektivë nga njësia e mbrojtjes së veçantë, duke rritur nivelin e sigurisë fizike ndaj saj.

Burime zyrtare bëjnë me dije se të dhënat mbi kërcënimet dhe indiciet konkrete për rrezikun ndaj gjyqtares mbahen konfidenciale për arsye hetimore dhe sigurie. Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që Gjoka vendoset nën mbrojtje. Ajo ka pasur masa sigurie edhe më herët, për shkak të detyrës si zv/kryetare e Gjykatës së Posaçme dhe përfshirjes si relatore në çështje të ndjeshme, mes tyre edhe dosja “Partizani”.

Edhe në atë periudhë, në kulmin e debatit publik dhe akuzave ndaj saj, institucionet vlerësuan se ekzistonte rrezik potencial, duke i caktuar truprojë.

Rastet e mbrojtjes së shtuar për gjyqtarë dhe prokurorë nuk janë të izoluara. Aktualisht, nën mbrojtje të veçantë nga shteti është edhe gjyqtarja Gentian Muça, pas vendosjes së një sasie tritoli në automjetin që përdorte ajo dhe bashkëshorti i saj prokuror rreth pesë vite më parë.

Po ashtu, në listën e personave të vlerësuar si të rrezikuar është edhe ish-gjyqtari i Shkodrës, Tonin Stërkaj, në banesën e të cilit është hedhur lëndë plasëse, ndërsa autorët e kësaj ngjarjeje nuk janë identifikuar ende. Pavarësisht se është shkarkuar nga procesi i vettingut, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vlerësuar se rreziku ndaj tij mbetet, çka ka sjellë vijimin e masave mbrojtëse.

Sipas burimeve, shumica e personave që përfitojnë mbrojtje të posaçme janë prokurorë të SPAK, si edhe disa prokurorë të rretheve, përfshirë tre në Elbasan, një prej të cilëve është transferuar në Tiranë për arsye sigurie.

Vendimi për shtimin e masave për gjyqtaren Gjoka vjen në një kohë kur institucionet e drejtësisë vijojnë hetimet ndaj çështjeve të ndjeshme që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë.

 

irena gjoka mbrojtje

Lini një Përgjigje