Gjon Shkambi, xhaxhai i Elvis Shkambit, autorit të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, ka kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë. Ai ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit të kaluar.
Kërkesa e tij pritet të shqyrtohet më 8 prill në Gjykatën e Apelit, nga gjyqtari Taulant Banushi.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 6 tetor 2025, kur gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua me armë brenda sallës së gjyqit nga Elvis Shkambi. Si pasojë e të shtënave mbetën të plagosur edhe Ragip dhe Ervis Kurti, babë e bir nga pala kundërshtare.
Gjon Shkambi pretendon se nuk ka pasur dijeni për veprimet e nipit të tij, i cili hapi zjarr ndaj gjyqtarit menjëherë pasi ky i fundit shpalli vendimin kundër kërkesës së tij në lidhje me një konflikt pronësie.
Në momentin e ngjarjes, Elvis Shkambi dhe xhaxhai i tij ndodheshin në sallë në pritje të vendimit, pjesë e një serie të gjatë procesesh gjyqësore që lidhen me një konflikt pronësie me 31 familje. Familja Shkambi kishte përfituar pronën si ish-pronar që në vitet ’90, ndërsa strehimi i këtyre familjeve në të njëjtën godinë ka sjellë një përplasje ligjore që vijon prej rreth tre dekadash.
Lini një Përgjigje