Në seancë është i pranishëm edhe prokurori i çështjes, Ols Dado, ndërsa mungon Altin Dumani.
Ditën e sotme, në orën 09:00, ka nisur seanca e katërt gjyqësore ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, si dhe të pandehurve të tjerë të përfshirë në çështje.
Në ambientet e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar janë parë të hyjnë avokati Maks Haxhia, Plarent Ndreca dhe biznesmeni Elman Abule. Në seancë është i pranishëm edhe prokurori i çështjes, Ols Dado, ndërsa mungon Altin Dumani.
Vetë Veliaj nuk do të jetë i pranishëm në sallë dhe përfaqësohet nga avokati Plarent Ndreca. Ai ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë deri në përfundimin e leximit të dosjes prej rreth 60 mijë faqesh, e cila i është dorëzuar në paraburgimin e Durrësit rreth një muaj më parë, një vit pas arrestimit.
Procesi gjyqësor vijon të shoqërohet me probleme procedurale. Edhe seanca e mëparshme përfundoi pa nisur shqyrtimi gjyqësor, një situatë e përsëritur edhe në dy seancat e para, kryesisht për shkak të mungesës së një prej avokatëve.
Gjatë atyre seancave janë regjistruar përplasje mes prokurorit Ols Dado dhe mbrojtjes, ku prokurori ka akuzuar palën tjetër për zvarritje të qëllimshme të procesit, duke theksuar se prej tetë muajsh gjyqi nuk ka avancuar. Nga ana tjetër, mbrojtja i ka kundërshtuar këto pretendime, duke deklaruar se nuk disponon ende të plotë dosjen dhe se çështja kërkon kohë për një përgatitje të drejtë.
Tensione janë shfaqur edhe në seancën e sotme. Avokati Maks Haxhia deklaroi: “Jam legjitimuar te ndjek ligjin. Avokatët që keni caktuar kryesisht është njohur me dosjen hetimore apo jo ? Pra përfaqësuesja ligjore Pranvera Doci e caktuar kryesisht për Fatjon Bacin. Duam të bëjmë proces jo sa për te pasur një avokat. Të lutem prokuror të mbaroj unë. Sepse po bëhet qesharak procesi.”
Ndërsa prokurori Ols Dado iu përgjigj: “Nuk je kryetar i dhomës zotëri je avokat i të pandehurit. Ti urdhëron këtu të flas apo nuk flas unë?”
Engjëllushe Tahiri: Si ju ashtu edhe Maks Haxhia mbroni të pandehur në proces. Ju mund të keni tagra të tjera, por këtu jeni vetëm mbrojtës ligjor.
Ndërkohë, avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca tha se ende nuk i është vënë në dispozicion në mënyrë elektronike e gjithë dosja prej 60 mijë faqesh dhe se ende paraqitet në Gjykatë për ta lexuar.
Sipas tij mungojnë fashikujt nga 142 deri tek 146 dhe shtoi se rrezikon që ky proces të bjerë ndesh me Konventën Evropiane.
Plarent Ndreca: Jeni ju ata që vendosni. Të gjithë çka janë këtu janë për shkak të gjyqit të Erion Veliaj. Dhe cilësitë e një avokati nuk mund të ndalen nëse shikohet një problematikë. Ju kam kërkuar orare se kur unë të vij në gjykatë dhe të konsultohem me dosjen. Më 26/03 kam filluar studimin e dosjes dhe më është thënë se do të vijnë elektronike. Unë kam qenë fizikisht në gjykatë për të fituar kohë dhe për të lexuar 60 mijë faqe dhe 1 mijë e më shumë prova. Mungojnë fashikujt nga 142 deri tek 146. Dua të shqyrtoj se çfarë mungon nga kjo dosje. Rrezikon që ky proces të bjerë ndesh me Konventën Evropiane.
Në këtë proces është përfshirë edhe punonjësi i policisë së burgjeve në Durrës, Fatjon Baci, i cili është shoqëruar në gjykatë. Ai akuzohet se i ka dhënë telefonin e tij Veliajt gjatë një shoqërimi për në GJKKO. Për shkak të mungesës së avokatit të tij, Artan Simoni, në seancën e kaluar, gjykata ka caktuar një avokate kryesisht, Pranvera Docin.
Erion Veliaj dyshohet për disa vepra penale, përfshirë korrupsionin dhe pastrimin e parave, akuza që ai i ka mohuar publikisht. Në të njëjtën çështje janë të përfshirë edhe 16 persona të tjerë.
Ndërkohë, në orën 13:00 pritet të zhvillohet një tjetër seancë në Gjykatën Administrative, ku do të shqyrtohet padia e Veliajt ndaj prokurorit të posaçëm Ols Dado.
Lini një Përgjigje