
Kryebashkiakja e parë shqiptare në Itali, Sindi Manushi tregon se edhe pse që në moshë të vogël ka emigruar në Itali, rrënjët shqiptare e thërrasin drejt atdheut të saj.
Në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Sindi Manushi, shprehet se zakonisht vjen 1 herë në vit për të vizituar Shqipërinë ku takon edhe njerëzit e saj më të dashur.
-A ktheheni shpesh në Shqipëri, apo e vizitoni Shqipërinë?
Sindi Manushi: Unë vij 1 herë në vit zakonisht në Shqipëri. Vij takoj gjyshen, tezen në Elbasan, por nuk rri gjatë, jo më shumë se 10 ditë.
-A e gjen të ndryshuar Shqipërinë nga Shqipëria e kujtimeve të tua?
Sindi Manushi: Po, shumë totalisht. Qyteti që e gjen gjithmonë më ndryshe është Tirana. Unë Tiranën e kam përjetuar goxha kur kam qenë e vogël sepse hallën e kisha në Tiranë dhe unë shkoja shpesh tek ajo tek “Rruga e Kavajës”. Tirana e viteve 90’ është shumë ndryshe nga Tirana tani. E preferoj Tiranën atëherë me thënë të drejtën. Nuk e pëlqej Tiranën tani.
-Meqenëse ju jeni një emigrante që shkuat në Itali, ndërkohë keni arritur në një nivel të lartë pasi jeni e para shqiptare që zgjidheni kryetare bashkie në Itali, cili është mesazhi që mund të jepni për të rinjtë dhe njerëzit të cilët i hyjnë rrugës së emigracionit, ose kanë frikë nga kjo rrugë?
Sindi Manushi: Mesazhi është që shkolla dhe të paktën në historinë time, shkolla ka bërë që unë të arrija deri këtu dhe të arsimohesha. Arsimi bën shumë.
-Do të bashkohesha dhe unë me apelin tuaj. Jua kam thënë shpeshherë të rinjve në universitete: Nuk ka asnjë rrugë tjetër për të qenë i suksesshëm në jetë përveç shkollës.
Lini një Përgjigje