Detaje të reja mësohen nga dëshmia e ish ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj dje në SPAK.
Ish ministri ka sqaruar për prokuroren Enkeleda Millonai pozicionin e tij për incineratorin e Fierit dhe të Elbasanit.
Ahmetaj ka deklaruar se si ish Minister i Ekonomisë dhe si ish ministër i Financave nuk ka patur asnjë rol vendimmarrës për inceneratorët.
Ahmetaj ka mohuar lidhjen me Klodian Zoton, për të cilin është shprehur se e njeh vetëm si biznesmen, ndërsa sa i takon vilës në Hamallaj ai ka deklaruar se ajo është pronë e familjes së bashkëjetueses Erjola Hoxha, me të cilën bashkëjeton që nga viti 2022.
Ahmetaj u thirr dje në SPAK në kuadër të hetimeve që po kryen prokuroria ndaj këtij të fundit për 4 akuza: Për shpërdorim detyre, korrupsion, pastrim parash dhe përfitime të paligjshme. Ishte ora 12:00 kur Ahmetaj u paraqit në SPAK për t'u marrë në pyetje si person në hetim i shoqëruar edhe nga avokati tij Henrik Ligori.
Mësohet se SPAK ka bashkuar dy procedime, ndarjen e fraksionit për inceneratorin e Elbasanit ku po hetohet për shpërdorim detyre dhe korrupsion e pastrim parash pas kallëzimit qe i është bërë për vilën në Hamallaj.
Hetimet ndaj Ahmetajt nisën pasi në media pati aludime se ai kishte përfituar udhëtime dhe benefite nga bosët e inceneratorëve. Ishin disa e-maile që dolën dhe kjo bëri që SPAK të nis hetimet. Vetë Ahmetaj nuk figuron askund të ketë firmosur, por SPAK e akuzon për 4 vepra penale.
Lini një Përgjigje