
Pas aksidentit tragjik në Durrës, drejtori i Policisë së Shtetit kërkon ashpërsim të masave ndëshkimore dhe rritje të gjobave administrative për shkeljet në qarkullim.
Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, reagoi pas aksidentit tragjik në Durrës, duke e cilësuar ngjarjen si një tronditje të madhe për opinionin publik dhe për vetë atë personalisht, ndërsa paralajmëroi ndryshime të mundshme në Kodin Penal dhe Kodin Rrugor.
Hita tha se aksidenti ka nxjerrë në pah nevojën për trajtim më të ashpër të shkeljeve rrugore dhe rritje të standardeve të sigurisë.
“Është një ngjarje shumë e rëndë që ka tronditur gjithë opinionin publik, por njëkohësisht edhe mua personalisht. Pezullimi i punonjësve të policisë ka të bëjë me verifikimin që po kryen Drejtoria e Standardeve Profesionale për të parë hap pas hapi gjithë procedurën, mënyrën se si kanë vepruar punonjësit e policisë në atë zonë dhe për të bërë më të mundur garantimin e sigurisë rrugore në komunitet. Akoma nuk kemi një përfundim mbi rezultatet e hetimit të Drejtorisë së Standardeve, ndërsa hetimi administrativ vazhdon, por paralelisht vijon edhe hetimi penal”, deklaroi drejtori i Policisë së Shtetit.
Kreu i Policisë theksoi se ngjarja ka rikthyer në vëmendje nevojën për ndërhyrje ligjore, si në aspektin administrativ ashtu edhe në atë penal, për të parandaluar aksidentet fatale.
“Ndryshimet në Kodin Rrugor apo në Kodin Penal patjetër që kërkojnë kohën e tyre, por besoj se ka ardhur momenti dhe është më se normale që të kemi ndërhyrje të tilla. Rasti i fundit tregon më së miri se vrasjet rrugore janë ngjarje po aq të rënda sa çdo ngjarje tjetër kriminale. Në këtë kuadër, përveç masave që duhen marrë, duhet të shikojmë edhe rritjen e masave administrative, pasi edhe një parkim i gabuar, që shpeshherë bëhet burim aksidenti apo ngjarjesh fatale, sot ndëshkohet me masa shumë të ulëta”, u shpreh Hita.
Ai paralajmëroi se Policia e Shtetit do të ndërmarrë iniciativa konkrete për ndryshime ligjore me fokus sigurinë rrugore.
“Kështu që, në këtë kuadër, ne do të ndërmarrim iniciativën tonë për të propozuar ndryshime në dispozitat përkatëse të Kodit Penal dhe Kodit Rrugor, me qëllim që të kemi sa më shumë siguri rrugore për të gjithë qytetarët dhe përdoruesit e rrugës”, tha Hita.
Lini një Përgjigje