TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 7 Maj 2026, 13:55

Skënder Hita ndryshon rregullat, Policia e Shtetit frenon “bombardimin” me lajme kriminale

Shkruar nga Pamfleti

Hita tha se vendimi për ndryshimin e mënyrës së komunikimit erdhi pas reagimeve dhe shqetësimeve të qytetarëve për mënyrën se si raportohen ngjarjet kriminale në përmbledhjet ditore të policisë.

Skënder Hita ndryshon rregullat, Policia e Shtetit frenon
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita në një deklaratë për shtyp deklaroi se institucioni që ai drejton do të zbatojë një model të ri komunikimi me median dhe qytetarët.

Sipas tij, ndryshimet synojnë të ofrojnë informacion më të saktë dhe më të përgjegjshëm për publikun.

“Jam sot, para jush, për të çelur një kapitull të ri në mënyrën e komunikimit që unë, si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, por dhe të gjithë drejtuesit e drejtorive vendore dhe strukturave të tjera policore, duhet të kemi në raport me median dhe publikun”, tha Hita.

Ai theksoi se Policia e Shtetit e konsideron transparencën pjesë të domosdoshme të punës së saj dhe e lidh atë me ndërtimin e besimit mes qytetarëve dhe institucioneve të sigurisë.

“Policia e Shtetit është një institucion në shërbim të qytetarëve dhe çdo veprim i yni ka në themel garantimin e rendit, sigurisë publike dhe zbatimin e ligjit. Pikërisht për këtë arsye, ne e konsiderojmë transparencën një element të domosdoshëm të punës sonë”, deklaroi ai.

Hita tha se vendimi për ndryshimin e mënyrës së komunikimit erdhi pas reagimeve dhe shqetësimeve të qytetarëve për mënyrën se si raportohen ngjarjet kriminale në përmbledhjet ditore të policisë.

“Sot dua të ndaj me ju një vendim të rëndësishëm të Policisë së Shtetit, që lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si ne komunikojmë me publikun”, u shpreh drejtori i policisë.

Ai shtoi se institucioni ka zhvilluar konsultime me specialistë dhe homologë në vendet e Ballkanit dhe Evropës, për të vlerësuar ndikimin që ka mënyra aktuale e raportimit të ngjarjeve kriminale.

“I kam pritur dhe dëgjuar këto shqetësime me shumë seriozitet dhe përgjegjësi, kam kryer konsultime me specialistë të fushës, kam komunikuar me shumë nga homologët e mi në Ballkan dhe Europë, dhe më rezulton se mënyra se si veprojmë ndikon negativisht në shoqëri dhe në jetën e përditshme të qytetarëve”, tha Hita.

Sipas tij, modeli i ri i komunikimit nuk do të kufizojë transparencën, por do të synojë informim më profesional dhe më të verifikuar.

“Dua ta theksoj qartë, kjo nuk është një tërheqje nga transparenca, përkundrazi, është një hap përpara drejt një transparence më cilësore dhe më profesionale”, deklaroi ai.

Hita renditi edhe ndryshimet konkrete që do të aplikohen nga Policia e Shtetit. Ai bëri të ditur se statistikat mujore dhe vjetore mbi kriminalitetin do të publikohen në faqen zyrtare të institucionit, ndërsa për ngjarjet në zhvillim informacioni do të jepet nga drejtuesit e policisë në terren dhe nga zëdhënësit.

“Së pari, të gjitha të dhënat statistikore mujore dhe vjetore mbi kriminalitetin dhe sigurinë publike do të jenë të aksesueshme në mënyrë të plotë në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit”, tha ai.

“Së dyti, për ngjarjet në dinamikë, titullarët e Policisë në vendngjarje do të japin informacionin e nevojshëm për mediat dhe publikun, në kohë reale dhe të shoqëruar dhe me informacionin paraprak nga zëdhënësi i Policisë”, shtoi Hita.

Në vijim, ai njoftoi se drejtuesit vendorë të policisë do të mbajnë konferenca mujore për të prezantuar rezultatet dhe problematikat në qarqe, ndërsa për operacionet me interes të lartë publik do të ketë informim zyrtar në kohë reale.

“Së treti, drejtuesit e drejtorive vendore të Policisë, me stafet e tyre, do të zhvillojnë konferenca mujore për të bërë transparente punën, rezultatet dhe sfidat në çdo qark”, deklaroi ai.

“Së katërti, për ngjarje me impakt të lartë publik apo operacione të rëndësishme policore, Policia e Shtetit do të informojë në kohë dhe në mënyrë të plotë, nëpërmjet kanaleve zyrtare”, përfundoi Hita.

 

policia e shtetit frenon “bombardimin” me lajme kriminale

Lini një Përgjigje