TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 7 Prill 2026, 14:57

Sterilizimi, Beqaj përplaset me SPAK: S’jeni të pavarur, vepruat me urdhër

Shkruar nga Pamfleti

Sterilizimi, Beqaj përplaset me SPAK: S’jeni të pavarur, vepruat

Ka nisur në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) seanca gjyqësore ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në kuadër të çështjes së njohur si “Sterilizimi”.

Gjatë seancës, përfaqësuesit e SPAK bënë të ditur se në fazën paraprake gjykata ka vendosur rikualifikimin e akuzës nga “shpërdorim detyre në bashkëpunim” në “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “grup i strukturuar kriminal”. Sipas prokurorisë, ky ndryshim erdhi pas kërkesës së gjykatës për sqarim juridik, ndërsa SPAK deklaroi se i qëndron akuzave të ngritura.

Nga ana tjetër, Beqaj kundërshtoi qëndrimin e organit të akuzës, duke kërkuar njohjen me argumentet e plota të rikualifikimit. Ai u shpreh se dokumenti i paraqitur nuk përmban vlerë konkrete të dëmit të pretenduar dhe nuk evidenton veprime apo mosveprime të tij që justifikojnë akuzën.

Edhe mbrojtja e tij ligjore, përmes avokatit Ermal Yzeiri, vuri në dyshim bazën ligjore të aktit të prokurorisë, duke kërkuar nga gjykata të vlerësojë nëse janë përmbushur kërkesat e mëparshme ose, në të kundërt, t’u jepet kohë palëve për përgatitjen e argumenteve.

Nga ana e SPAK, u theksua se dokumenti i dorëzuar përbën një sqarim të mjaftueshëm mbi ndryshimin e akuzës dhe procedurat e ndjekura deri në kalimin e çështjes për gjykim.

Seanca u shoqërua me tensione, ku Beqaj vuri në dyshim pavarësinë e prokurorisë dhe paanshmërinë e gjykatës, duke pretenduar se rikualifikimi i akuzës nuk është rezultat i bindjes së organit të akuzës.

Në përfundim, trupi gjykues vendosi shtyrjen e seancës për t’u dhënë kohë palëve për kërkesat paraprake dhe sqarime shtesë nga prokuroria. Seanca e radhës do të zhvillohet më 28 prill, në orën 12:00.

Ndërkohë, gjykata pritet të shqyrtojë edhe kërkesën e Beqajt për të qëndruar jashtë kafazit gjatë seancave, çështje që lidhet me rregullat e sigurisë në sallën e gjyqit.

Pjesë nga diskutimet:

SPAK: Gjykata në seancë paraprake vendosi që të ndryshonte akuzën nga ‘shpërdorim detyre’ në ‘bashkëpunim në vjedhje’ duke shpërdoruar detyrën dhe ‘grup i strukturuar kriminal’. Në atë kohë seanca i la detyrë prokurorisë që të bënte cilësimin juridik të veprës. Për këtë arsye në fund, kur gjykata vendosi kalimin e çështjes për gjykim për këto dy vepra.
I qëndrojmë akuzave të vendosura në seancë paraprake.

Beqaj: Do doja ta lexoja argumentin e dhënë nga organi i akuzës, për sa i përket rikualifikimit të veprës. Ky është një dokument i lidhur me akuzën, nuk ka minimalisht një numër në vlerë shifra e vjedhjes, siç nuk ka asnjë veprim apo mosveprim timin, organi i akuzës nuk ka përmbushur urdhrin. Ne do kërkojmë që të shprehemi në lidhje me këtë moment.

Avokat Ermal Yzeiri: Gjykata mori vendim, e urdhëroi prokurorin, është pa bazë ligjore, nuk ka ku të mbështetet. Duhet ju si gjykatë të shpreheni nëse ky akt i përmbush kërkesat që ja keni lënë. Nëse ju do t’i jepni kohë prokurorisë për të përmbushur kërkesën tuaj, dakord, ose duhet të na jepni ne kohë që të bëhemi gati për të dhënë argumentet tona.

SPAK: Në vlerësimin tonë akti që është paraqitur, në vetvete bën një sqarim për ndryshimin e akuzës, ne na u kërkua të bëjmë një sqarim se cila është akuza, me të cilën është përcjellë për gjykim i pandehuri. Ne kemi shpjeguar hapat procedurialë, çfarë ka ndodhur.

Beqaj: U rikonfirmua që organi i akuzës nuk ka vepruar i pavarur, meqenëse jemi para kësaj, që ju nuk jeni gjykatë e paanshme, pasi gjykata urdhëroi që të ndryshohej kjo akuzë. Akuza ndaj meje nuk është bindja e prokurorëve.

Avokati: Kjo nuk mund të konsiderohet sqarim i një akuze, nëse ky është akti definitiv nga SPAK atëherë kërkoj kohë të paraqes argumentet e mia.

Gjykata pasi u kthye nga dhoma e këshillimit vendosi që, duke i lënë kohë prokurorisë për të sqaruar akuzën, gjykata vlerëson se akuza është atribut i prokurorisë; si gjykatë themeli nuk mund të bëjë ndryshim akuze. Jemi në fazën e kërkesave paraprake.

Avokati i Beqajt: Ne kërkojmë kohë për të dhënë shpjegimet tona.

Beqaj kërkoi që të mos qëndrojë më në kafaz, por të jetë në sallë, pasi prania ime nuk i prish asnjë punë askujt.

SPAK: Për këtë proces ai s’ka masë arresti në burg, ky është komenti i vetëm që ne kemi.

Gjykata, e këshilluar në vend, vendosi që kjo ka të bëjë me rregullat e shoqërimit të Drejtorisë së Burgjeve. Megjithatë gjykata do të disponojë me vendim në fillim të seancës së ardhshme.

 

Lini një Përgjigje