TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 7 Prill 2026, 11:55

GJKKO rrëzon kërkesën e Ilir Beqajt për lirim, refuzohet edhe garancia prej 20 mijë eurosh

Shkruar nga Pamfleti

GJKKO rrëzon kërkesën e Ilir Beqajt për lirim, refuzohet

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar kërkesën e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, për ndryshimin e masës së sigurisë.

Pas 21 muajsh në paraburgim, Beqaj kishte ofruar një garanci pasurore prej 20 mijë eurosh për lirimin e tij, gjatë seancës së zhvilluar më 31 mars, por kërkesa nuk u pranua nga gjykata.

Në të njëjtën datë, GJKKO refuzoi edhe kërkesën për liri të bashkëpunëtorit të tij, Ermal Kurtulaj, pavarësisht se edhe ai kishte paraqitur garanci pasurore.

Të dy ndodhen në burg që prej 4 korrikut 2024, pas arrestimit në kuadër të hetimeve për abuzime me fondet e Bashkimit Evropian në strukturën SASPAC.

Sipas Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Beqaj, në cilësinë e drejtorit të Përgjithshëm të SASPAC, dyshohet se ka urdhëruar Kurtulajn të kryejë prokurime fiktive gjatë viteve 2022-2023, në kundërshtim me rregullat e BE-së për projektet e EUSAIR. Sipas hetimeve, fondet e këtyre tenderëve përfundonin në përfitim të tij, ndërsa procedurat kryheshin vetëm në letër dhe kontratat lidhej formalisht me kompani të ndryshme.

Beqaj përballet me disa akuza penale, përfshirë korrupsionin pasiv, shkeljen e barazisë në tenderë, falsifikimin e dokumenteve, mashtrimin dhe mosdeklarimin e pasurisë, që lidhen, ndër të tjera, me zotërimin e kuotave në restorantin “Gzona”, një apartament në Vlorë dhe një automjet.

Ndërkohë, ndaj tij vijon paralelisht edhe një proces tjetër gjyqësor për koncesionin e sterilizimit. Në kuadër të këtij hetimi, SPAK ka vendosur masa sekuestroje preventive mbi një apartament të dyshuar të padeklaruar, tre llogari bankare me vlerë rreth 200 mijë euro në total, 19.4% të aksioneve në “Gzona” si dhe tre automjete. Hetimet për të dyja çështjet vijojnë.

Lini një Përgjigje