
Blegtorët e qumështit dolën sot në protestë, duke kërkuar rritjen e subvencioneve dhe më shumë mbështetje nga qeveria për stabilizimin e tregut.
Ata deklaruan se çmimet aktuale nuk u mundësojnë të përballojnë kostot, ndërsa theksuan se shpenzimet e larta të prodhimit po e rëndojnë më tej situatën në sektor.
Disa nga pankartat e tyre mbajnë thirrje si “Stop importit të qumështit”, “Formalizoni tregun e bulmetit”, “Bojkotoni firmat serbe” etj.
Gjatë protestës, përfaqësues të blegtorëve u shprehën se qëllimi i tyre është të dëgjohen dhe të gjenden zgjidhje konkrete për problemet që po hasin.
“Skema nuk na mbështet, kostot janë të larta. Skema 2026 nuk ishte ajo që u diskutua me ne. Të na subvencionohet nafta. Të rritet mbështetja për blegtorinë, të bllokohet importi që na konkurron”, është thirrja e tyre.
Subvencionimi është një nga kërkesat e tyre më të shprehura.
“Kërkojmë subvencione si gjithë rajoni. Kemi 7-8 herë më pak subvencione sesa rajoni. Me kë duhet të konkurrojmë ne? Kërkojmë naftë pa taksa për fermerët ose të bëjë një rregullim qeveria për taksën e qarkullimit”, thonë ata duke kërkuar edhe një laborator për sigurinë e produkteve.
Aktualisht ky sektor po përballet me vështirësi për shkak të rritjes së çmimit të naftës. Thirrja e tyre është për kostot e ushqimit të bagëtive, karburantin, shpenzimet bazë dhe pamjaftueshmërinë e mbështetjes nga shteti.
Gjithashtu ata rendisin informalitetin dhe TVSH-në e pabarabartë si faktorë që krijojnë vështirësi për fermerët shqiptarë.
“Qeveria të ngrejë një bord për produktet e shportës sepse nuk arrijmë dot të konkurrojmë fermerin evropian ose të rajonit”, thanë fermerët.
Protesta vijon gjatë ditës së sotme, ndërsa blegtorët paralajmërojnë përshkallëzim të reagimit nëse kërkesat e tyre nuk adresohen nga institucionet përkatëse.
Lini një Përgjigje