
SPAK ka sekuestruar kompani dhe aksione të biznesmenit Ilir Rrapaj, i cili ndodhet në burg për Koncesionin e Sterilizimit.
Hetimi bën fjalë për shkeljet e pretenduara nga SPAK, në koncesionin e sterilizimit me vlerë 100 milionë euro dhe afat 10-vjeçar, të fituar nga biznesmeni Ilir Rrapaj tashmë i arrestuar bashkë me ish-zv.ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj.
I lindur në vitin 1972, Rrapaj ka emigruar në Itali në vitet 90’ dhe është vendosur në rajonin e Umbrias. Më 17 prill 2000, ai regjistron në Peruxhia kompaninë Ali Pashë Tepelena SAS, një kompani në kategorinë e “artizanatit” me vetëm një të punësuar dhe një kapital prej 3 milionë liretash, të cilat më vonë konvertohen në 1549, 38 euro.
Ilir Rrapaj zotëron 50 % të aksioneve të kompanisë dhe 50 për qind kontrollohen nga i afërmi i tij Mitat Rrapaj, i cili në vitin 2007 ia dhuron ato shtetases Italiane Elisa Bulagna.
Lidhja e Rrapajt me fushën e shëndetësisë është e paqartë, edhe pse ai pretendon të këtë mbaruar studimet për mjekësi. Megjithatë, më 22 nëntor të vitit 2013, Rrapaj merr pjesë në nismën “Thuaj Po Shqipërisë”, të mbajtur në pallatin e Brigadave në Tiranë.
Mbas konferencës në nëntor të vitit 2013 dhe shpalljes së koncesionit për sterilizimin e seteve dhe sallave kirurgjikale në shkurt të këtij viti, Rrapaj dhe përfaqësues të kompanive të tjera italiane, pjesë të konsorciumit fitues kanë pasur një numër takimesh në Tiranë dhe Itali me ministrin e shëndetësisë Ilir Beqaj.
Në dhjetor të vitit 2013, ministri Beqaj dhe zëvendës ministri i shëndetësisë Klodian Rrjepaj vizitojnë rajonin e Umbrias në Itali me ftesë Qarkut të Umbrias dhe Universitetit Shtetëror të Peruxhias.
Gjatë vizitës, Beqaj nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Peruxhias, po ajo që bie në sy është prezenca e Ilir Rrapajt dhe e ortakëve të tij italianë gjatë takimeve.
Beqaj e viziton disa herë rajonin e Umbrias në vitin 2014. Në dhjetor të këtij viti ai nënshkruan një memorandum bashkëpunimi me Qarkun e Umbrias, ku Rrapaj është gjithashtu prezent në takimet zyrtare, në krah të ministrit Ilir Beqaj.
Nga hetimi i SPAK, Ilir Beqaj është zyrtari më i lartë nën akuzë për shkeljet e konstatuara me kontratën e partneritetit publik-privat të sterilizimit me vlerë 100 milionë euro, pas arrestimit në gusht të këtij viti të biznesmenit Ilir Rrapaj dhe zëvendësit të tij në Ministrinë e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj.
Hetimet e SPAK kanë zbuluar shkelje në procedurat e dhënies së koncesionit, siç dyshohet me qëllimin e vetëm të shpalljes fitues të kompanive të Ilir Rrapajt dhe shtetasit Italian, Umbro Staçini.
Lista e shkeljeve përmban një studim fizibiliteti me të dhëna të rreme në kundërshtim me ligjin; hartimi i kritereve në mënyrë të tillë që t'u përshtateshin gjendjes reale të kompanive të përzgjedhura paraprakisht si dhe mosveprimin e Beqajt për zgjidhjen e konfliktit të interesit mes zv.ministrit Klodian Rrjepaj si kryetar i komisionit të koncesionit dhe Ilir Rrapajt si biznesmen përfitues i tij. Shkelje ligjore janë gjetur edhe gjatë negocimit të kontratës koncesionare, që sipas gjyqtarit kanë qenë “dukshëm në favor të kompanisë së shpallur fituese, në dëm të interesave të shtetit”.
Emri i Beqajt mungoi fillimisht në listën e personave të akuzuar për 'shpërdorim detyre' dhe 'mashtrim me pasoja të rënda', por në një vendim për masë sigurie, gjyqtari Erjon Bani vlerësoi se shkeljet e akteve ligjore ngriheshin në nivelin e përgjegjësisë penale për ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqja.
Ndaj tij është ngritur akuza e shpërdorimit të detyrës, ndërkohë që gjyqtari vlerësoi hetimet si të paplota në momentin e vendosjes së 9 masave të para për këtë çështje dhe orientoi Prokurorinë drejt hetimit edhe për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.
Lini një Përgjigje