TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet16 Qershor 2024, 07:12

Sot Kurban Bajrami, besimtarët falin namazin në bulevardin 'Dëshmorët e Kombit'

Shkruar nga Pamfleti

Sot Kurban Bajrami, besimtarët falin namazin në bulevardin

Besimtarët myslimanë festojnë sot Kurban Bajramin, festën më të rëndësishme në kalendarin e myslimanëve. 

Mijëra besimtarë u mblodhën sot në bulevardin 'Dëshmorët e Kombit' për faljen e namazit të Kurban Bajramit. Falja nisi në orën 06:00.

Kreu i KMSH, Bujar Spahiu, teksa uroi besimtarët, theksoi se shpresonte që kjo ditë të shërbejë si një ditë reflektimi për më shumë dashuri me njëri-tjetrin.

Kurban Bajrami në Shqipëri

Festimet që i takojnë kësaj dite shënojnë flijimin dhe sakrificën e njeriut në emër të besimit të zotit dhe në emër të dashurisë për njeriun. Ajo përbën festën e madhe të mëshirës, të faljes, mirëkuptimit, mirësisë, vëllazërimit dhe paqes.

Kremtimi i kësaj dite siç është bërë traditë fillon në orët e para të mëngjesit, kur mijëra besimtarë myslimanë falin namazin.
Sipas fesë myslimane, për këtë ditë të shënuar theret një dash apo një dele e rritur, e cila i dedikohet Zotit.

Familja që e ther mund të mbajë aq mish sa i duhet dhe pjesën tjetër duhet ta ndajë me familjet e varfra. Karakteristike e kësaj dite janë dhe ëmbëlsirat dhe zbukurimet.

Në çdo familje myslimane gatuhen ëmbëlsira, të cilat duhet t’u serviren dhe miqve. Ndërkohë, të gjithë besimtarët, si dhe shtëpitë e tyre duhet të stolisen sa më mirë të jetë e mundur.

Besimtarët flijojnë në orët e para të mëngjesit qindra qengja dhe desh për të evokuar ngjarjen e shenjtë, ku zë fill kjo festë, ndër më të rëndësishmet për fenë myslimane.

Vite më parë, kur besimi fetar ishte i ndaluar në Shqipëri, ritet fetare, kremtoheshin fshehurazi. Ndonëse pa bujë shume familje tradicionale, shqiptarët i kushtonin një fond të veçantë kremtimit të kësaj feste. Kurban Bajrami, tashmë një ditë feste zyrtare, kremtohet prej vitesh nga të gjithë shqiptarët, pa harruar këtu devotshmërinë e besimtarëve myslimanë në këtë ditë, e cila shënon flijimin dhe sakrificën e njeriut në emër të besimit te Zotit, në emër të dashurisë për njeriun.

Lini një Përgjigje