
Sot shënohen 13 vite nga ngjarja e 21 janarit të 2011, ku u vranë në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ 4 protestues opozitarë nga armët e punonjësve të shtetit: Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.
Familjet e 4 viktimave ende nuk gjejnë paqe. Sytë e thirrjet i drejtojnë te SPAK për të vënë në vend drejtësinë e mohuar që urdhëruesit e zbatuesit të marrin dënimin e merituar.
Edhe Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, në vendimin e 14 nëntorit 2023 për Aleks Nikën, një prej protestuesve të vrarë, argumenton se në hetimin e ngjarjeve të 21 janarit 2011 ka pasur mangësi të shumta, të cilat ngrenë dyshime se autoritetet ishin përpjekur ta devijonin apo të ndërhynin padrejtësisht.
Ndërkohë është publikuar vendimi i plotë i marrë unanimisht nga 7 gjyqtarët që kërkon të rihapet çështja dhe t’i hapë rrugë hetimit të munguar për zinxhirin e komandimit dhe jo vetëm.
“Gjykata arriti në përfundimin se autoritetet kombëtare nuk arritën të ndiqnin seriozisht dhe në mënyrën adekuate disa linja kyçe të hetimit në lidhje me natyrën e çdo urdhri të dhënë nga personat në zinxhirin komandues gjatë ngjarjeve, duke përfshirë por jo vetëm në lidhje me përdorimin vdekjeprurës të armëve të zjarrit dhe mundësinë që demonstruesit të kishin qenë drejtpërdrejt në shënjestër të personelit të armatosur”, shkruhet në faqen 19 të vendimit.
Ndryshe nga tre viktimat e tjera që u qëlluan me armë zjarri në afërsi të kryeministrisë, Aleks Nika ndodhej në krahun tjetër të bulevardit, kur një plumb e qëlloi për vdekje në kokë.
Në vendimin 32 faqesh ndër të tjera gjykata i jep një përgjigje dhe pretendimit të Gardës se kanë qëlluar vetëm në ajër për paralajmërim.
“….Është e vështirë të imagjinohet që të shtënat në ajër në një kënd të kujdesshëm mund të kenë goditur në kokë viktimën që qëndronte në nivelin e rrugës, madje edhe si rezultat i një rikosheti…. Është e paqartë pse ekspertiza nuk është kryer në kohën e duhur dhe në trupin e vetë viktimës dhe jo bazuar të raporte të mëparshme”, shkruhet ndër të tjera në faqen 28 të vendimit.
Gjykata vlerëson se hetimi nuk ka qenë efektiv që të mund të çojë në identifikimin dhe ndëshkimin e atyre që janë përgjegjës për ngjarjet e pretenduara dhe në përcaktimin e të vërtetës.
"…Rruga tjetër e korrigjimit të nevojshëm përbëhet nga detyrimi i shtetit për të kryer një hetim efektiv që mund të çojë në identifikimin dhe ndëshkimin e personave përgjegjës”, shkruhet në faqen 21 të vendimit.

Kanë kaluar 13 vitet nga kur Rajmonda, bashkëshortja e Aleksit dhe dy vajzat e tij, Amelia e Nertila, të cilat atëherë ishte vetëm 2 vjeçe e 5 muajshe, e sot 15 dhe 13 vjeçe, duan të dinë: Kush dha urdhrin dhe kush qëlloi plumbin që i mori jetën babait të tyre, Aleksit? Sytë i kanë tek SPAK.
Ndërkohë ditën e djeshme gazetari kosovar, Flamur Vezaj publikoi pamje të regjistruara më 21 janar 2011 nga kamera e sigurisë që ndodhet në tarracën e kryeministrisë.
Këto pamje kanë fiksuar shumë ngjarje që nga momenti i nisjes së protestave, dhunën ndaj policisë, djegiet, thyerjen e perimetrit të sigurisë, hapjen eportës së kryeministrisë, vrasjet së protestuesit Ziver Veizi. Dhe më pas vrasjen e Hekuran Dedës. Ndërsa kjo kamer nuk ka fiksuar vrasjen e Faik Myrtës dhe Aleks Nikës.
Siç shihet dhe në pamje, Veizi është përballë kryeministrisë, i parmatosur dhe me duar në xhepa. Vetëm pak sekonda pas hapjes së portës së kryeministrisë, ai është qëlluar direkt në gjoks.
"Nga pamjet duket se dyert kanë qenë të hapura dhe plumbi nuk është rikoshet siç kanë thënë ekspertët e ministrisë në gjykatë në cilësinë e dëshmitarëve.
Nga ky kënd dhe nga pamjet e tjera të publikuara në media duket qartë se fushëpamja e gardistit, Agim Llupo nuk ka objekt para që plumbi të bëjë rikoshet. Çka hedh poshtë edhe versionin e mbajtur nga ekspertët e policisë në gjykatë për të lehtësuar masën e dënimit të pandehurit. Siç shihet pas goditjes rreth Veizit mblidhen njerëz për ta ndihmuar, por ai plumb ishte vdekjeprurës.
Për këtë vrasje u deklarua fajtor Agim Llupo, por me një dënim qesharak prej 3 vitesh nën akuzën e vrasjes nga pakujdesia. Vrasje që siç dukët nga kamera nuk është nga pakujdesia por vrasje direkte.
Moment i vrasjes është fiksuar nga kamera në orën 5 e 1 minutë e 48 sekonda të asaj pasditeje. Vetëm pak minuta më pas bie në tokë edhe Hekuran Deda nga skelja e një televizioni kombëtar, pasi mori plumbin në kokë.
Gjatë procesit gjyqësor ekspertët nuk arritën të konstatojnë se kush ishte autori i vrasjes së Hekuran Dedës edhe pse prokuroria akuzoi Agim Llupon. E kështu gjykata u shpreh se në vendimin e dënimit të Llupos nuk ka prova se kush është autori i vrasjes së Dedës, duke ja kthyer për rihetim dosjen Prokurorisë, e cila dhe sot e kësaj ditë nuk arrin të sigurojë provat konkrete. Për mungesë të provave ka mbetur pa autor edhe vrasja e Aleks Nikës.
Edhe pse në vendin e ngjarjes u gjetën 14 gëzhoja të shkrepura nga arma e komandantit të gardës Ndrea Prendi, historitë e të cilit më pas u manipuluan, duke i ndërruar gjilpërën qindra gëzhojave të armëve që përdoreshin nga gardistët atë ditë", tha Vezaj.
Lini një Përgjigje