
Një grup prej 26 organizatash mjedisore, në nivel kombëtar dhe lokal, i janë drejtuar me një letër të hapur qeverisë shqiptare, duke shprehur shqetësim të thellë për ndërhyrjet në shtratin dhe brigjet e lumit Shkumbin. Sipas tyre, punimet për ndërtimin e rrugës nacionale Elbasan–Librazhd–Bushtricë, pjesë e Koridorit VIII, po shoqërohen me veprime që mund të kenë ndikim të ndjeshëm në ekosistem.
Bazuar në vëzhgime në terren, dokumentim teknik dhe vizual, si dhe në raportime të komuniteteve lokale, organizatat raportojnë ndryshime në morfologjinë e lumit, nxjerrje të materialeve inerte nga shtrati dhe brigjet, si dhe depozitime të dherave pranë ose brenda trupit ujor.
Sipas tyre, këto ndërhyrje mund të ndikojnë në cilësinë e ujit, biodiversitetin, stabilitetin e brigjeve dhe ekuilibrin natyror të ekosistemit të lumit. Ata paralajmërojnë se efektet janë të dukshme që në këtë fazë të punimeve dhe mund të përkeqësohen në afatgjatë, duke rrezikuar tokat bujqësore, infrastrukturën rrugore, si dhe banesat e bizneset pranë lumit.
Letra i është adresuar Kryeministrit Edi Rama, Ministrit të Mjedisit Sofjan Jaupaj dhe institucioneve përgjegjëse për menaxhimin e burimeve ujore dhe monitorimin mjedisor.
Organizatat kërkojnë:
-Inspektim urgjent në terren dhe publikimin e një raporti zyrtar me gjetje konkrete;
-Verifikim të përputhshmërisë së ndërhyrjeve me lejet për përdorimin e burimeve ujore dhe kushtet e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis;
-Monitorim të cilësisë së ujit dhe sedimenteve në zonat e prekura;
-Hartim dhe zbatim të një plani rehabilitimi për dëmet e konstatuara;
-Transparencë të plotë mbi dokumentacionin dhe vendimet përkatëse.
Organizatat theksojnë se përdorimi i materialeve inerte nga lumi duhet të kryhet në përputhje të plotë me standardet teknike dhe ligjore në fuqi, duke paralajmëruar se çdo devijim mund të sjellë pasoja të parikuperueshme mjedisore dhe territoriale.
Sipas nënshkruesve, shqetësimi i ngritur nuk është kundër zhvillimit të infrastrukturës, por në mbështetje të një zhvillimi të qëndrueshëm dhe të balancuar me mbrojtjen e mjedisit dhe interesin publik.
Ata theksojnë se lumi Shkumbin përfaqëson një pasuri natyrore me rëndësi të veçantë për komunitetet lokale, bujqësinë, biodiversitetin dhe stabilitetin ekologjik të rajonit. Për këtë arsye, kërkohet monitorim i vazhdueshëm, transparencë institucionale dhe zbatim rigoroz i kuadrit ligjor në fuqi.
Organizatat nënshkruese:
1. Shoqata AlbNatyra
2. Qendra NORMA
3. Reinforce Sustainability (RESU Albania)
4. GO2Albania_Organizatë për Planifikim të Qëndrueshëm Urban
5. Qendra LUMI – Lëvizja për Ujërat, Mjedisin dhe Integrimin
6. Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA)
7. Rrjedha
8. Qendra Balancë
9. Qendra për Mbrojtjen e Ekosistemeve Natyrore në Shqipëri (EcoAlbania)
10. Unë Gruaja
11. Instituti për Natyrën dhe Konservimin në Shqipëri (INCA Albania)
12. ILIRIA-Protection and Social & Environmental Development Association (PSEDA-ILIRIA)
13. Eko mjedisi Durrës
14. AGRIEN_SHOQATA E BASHKUAR AGRO-MJEDISORE
15. Qendra Burimore e Mjedisit ne Shqipri (REC Albania)
16. All-Green Centre
17. Milieukontakt Albania
18. Shoqata Ornitologjike e Shqiperise (AOS)
19. Rrjeti për Raportimin e K.O.K.Sh
20. Shoqata Ekspertet e Rinj Mjedisor -SHERM Albania
21. Shtëpia e Gjelbër
22. Instituti per Menaxhimin e Mjedisit dhe Territorit
23. Destination Management Organization
24. Korça Alpin
25. North Green Association
26. Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit
Lini një Përgjigje