Bllokimi i segmentit rrugor në zonën e Librazhdit ka sjellë pasoja të drejtpërdrejta edhe në pikën kufitare të Qafë Thanës, ku rreth 30 kamionë kanë mbetur në pritje për të kaluar kufirin. Drejtuesit e mjeteve të tonazhit të rëndë raportojnë se po qëndrojnë prej disa ditësh në radhë, në kushte të vështira.
Shkak i situatës është bërë dëmtimi i aksit që përdorej si itinerari kryesor për lëvizjen Qafë Thanë–Elbasan. Si pasojë, një pjesë e mjeteve janë detyruar të devijojnë rrugën dhe të kalojnë tranzit përmes territorit të Maqedonisë së Veriut, duke rritur ndjeshëm fluksin në pikën kufitare dhe duke krijuar vonesa.
Shoferët shprehen se po përballen me mungesë kushtesh bazë dhe shpenzime të shtuara.
“Kemi që të dielën këtu që presim. Moti është i ftohtë. Po presim të hapet rruga dhe të ikim, kemi mbetur pa bukë, pa ujë. Shpenzimet sipas kompanisë janë të mëdha, problemet janë të mëdha, ne nuk dimë më shumë. Shpresojmë të hapet rruga dhe të ikim, s’kemi çfarë të bëjmë”, tha njëri nga shoferët.
Edhe një tjetër drejtues mjeti theksoi vështirësitë e qëndrimit të zgjatur në kufi: “Pritja është bërë e vështirë edhe në kemi familje dhe fëmijë. Kemi katër ditë këtu saktësisht, kemi mbetur edhe pa bukë, edhe një më ka mbetur. Do hamë atë tani. Po flemë në kabinë. Nga këtu do iki në Durrës. Shpresojmë të hapet rruga nga pala shqiptare, atë po presim”.

Sipas të dhënave nga autoritetet shqiptare, gjatë 24 orëve të fundit në Qafë Thanë kanë hyrë 1510 shtetas dhe kanë dalë 1703 shtetas, çka tregon rritje të qarkullimit në këtë pikë kufitare, e cila po përballon një volum më të lartë lëvizjesh për shkak të devijimit të detyruar të trafikut.
Lini një Përgjigje