TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet20 Janar 2026, 10:10

QSUT pa drita, reagon ashpër mjeku psikiatër: Krim institucional! Në reanimacion sekondat vrasin, u kalua vija e kuqe

Shkruar nga Pamfleti
QSUT pa drita, reagon ashpër mjeku psikiatër: Krim institucional!
Neli Demi

Mjeku psikiatër Neli Demi, ka reaguar ashpër pasi QSUT mbeti pa energji elektrike mbrëmjen e së hënës.

Në një reagim në rrjetet sociale, mjeku shkruan se spitali pa energji elektrike nuk mund të quhet defekt teknik, por një krim institucional.

Sipas mjekut, mbrëmë është kaluar vija e kuqe dhe fakti që nuk pati viktima për shkak të mungesës së energjisë elektrike, nuk ishte sukses i sistemit, por fat i verbër.
“Fakti që reanimacioni, urgjenca dhe shërbime jetike në Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza kanë mbetur pa energji elektrike është krim institucional, jo “defekt teknik”. Kjo është vijë e kuqe e kaluar. Në asnjë vend normal: reanimacioni, terapia intensive, sallat e operacionit nuk mbeten pa energji elektrike, kurrë. As për sekonda. As për minuta. As “rastësisht”.

Nëse pacientët janë nxjerrë në korridore, kjo do të thotë se: sistemet rezervë nuk ekzistojnë realisht, ose janë jashtë funksioni, ose nuk janë testuar kurrë, ose drejtuesit nuk kanë besim te to. Secila prej këtyre do ishte një dështim kriminal në menaxhimin e shërbimeve jetike.

Mos na flisni për: linja 110 kV, OSHEE, avari të papritura, “ishte për pak minuta”. Në mjekësi “pak minuta” vrasin. Në reanimacion sekondat vrasin. Nëse sot nuk ka viktima, kjo nuk është sukses i sistemit, por fat i verbër. Dhe një shtet që mbështetet te fati për të mbrojtur jetën e qytetarëve nuk është shtet, është rrezik publik. Ky nuk është problem teknik. Ky është problem përgjegjësie penale, administrative dhe morale.

Duhet hetim i pavarur dhe publik, auditim urgjent i sistemeve UPS dhe gjeneratorëve, publikim i menjëhershëm i protokolleve të sigurisë dhe largim i drejtuesve përgjegjës, pa justifikime dhe pa vonesa. Reanimacioni nuk është shërbim “i rëndësishëm”. Është kufiri i fundit mes jetës dhe vdekjes. Kush e ka lënë atë kufi pa energji, ka dështuar në detyrën më bazike të shtetit: mbrojtjen e jetës njerëzore. Dhe për këtë duhet dhënë llogari“-shkruan mjeku në Facebook.

Urgjenca e QSUT mbërmjen e djeshme ka mbetur pa energji elektrike për mbi 30 minuta, një situatë që ka shkaktuar tension tek pacientët, stafet mjekësore, por dhe familjarët, veçanërisht në shërbimin e reanimacionit.

Lidhur me këtë situatë ka reaguar edhe vetë QSUT, që përmes një postimi në rrjetet sociale shkruan se ndërprerja e energjisë ka ardhur për shkak të një defekti në linjën e furnizimit me energji elektrike të tensionit të lartë që furnizon Godinën A2.

Po ashtu në njoftim thuhet se falë aktivizimit të menjëhershëm të sistemeve rezervë (UPS, Gjeneratorë), aparaturat mjekësore jetike kanë vijuar të funksionojnë normalisht, duke garantuar vijimësinë e trajtimit dhe duke mos u cenuar në asnjë moment jeta e pacientëve.

Menjëherë pas ikjes së energjisë elektrike, sipas QSUT ekipet mjekësore, teknike dhe drejtuese janë vënë në gatishmëri të plotë, duke vepruar sipas protokolleve të sigurisë dhe duke ofruar çdo suport të nevojshëm, për garantimin e shërbimit shëndetësor si dhe duke marrë masat e nevojshme.

 

neli demi krim institucional qsut pa drita

Lini një Përgjigje