Tenderat për të cilat SPAK ka hetuar ish-Kryebashkiakun e Kavajës i përkasin periudhës janar 2013-dhjetor 2014...
SPAK i ka komunikuar akuzën e shpërdorimit të detyrës Elvis Roshit, ish-Kryebashkiakut të Kavajës.
Roshi është hetuar nga Prokuroria Speciale për periudhën që ka drejtuar Bashkinë, ndërsa në zgjedhjet e fundit parlamentare, ai është monitoruar për ndikim në zgjedhje, pasi një prej të afërmve të tij, kandidonte për deputet, në listën e hapur të koalicionit të udhëhequr nga demokratët e Sali Berishës.
Roshi është hetuar për një seri tenderash të organizuara nga Bashkia e Kavajës gjatë kohës që ai ishte kryebashkiak. Bëhet fjalë për tendera në insfrastrukturën e qytetit, përfshi edhe qendrën, si dhe për pemët decorative. Sipas SPAK, nga hetimet rezulton se dëmi i shkaktuar si pasojë e abuzimit me tenderat, arrin në 33 mln lekë.
SPAK nisi hetimet për Roshin në vitin 2024, ndërsa ish-Kryebashkiaku është paraqitur disa herë në Prokurorinë Speciale ku është marrë në pyetje nga prokurori dhe agjentët e BKH-së.
Tenderat për të cilat SPAK ka hetuar ish-Kryebashkiakun e Kavajës i përkasin periudhës janar 2013-dhjetor 2014.
Nga hetimet ka rezultuar se në të paktën 3 tendera, ofertuesi me çmimin më të ulët është skualifikuar padrejtësisht si rezultat i llogaritjes së gabuar të ofertës.
Hetimet kanë nisur pas raporteve audituese nga KLSH, fillimisht nga Prokuroria e Durrësit, dhe më pas i kaluar SPAK-ut.
Si nisi hetimi?
Në shtator të vitit 2015, Roshi u kallëzua në Prokurorinë e Kavajës bashkë me 10 zyrtarë të tjerë, pasi dyshohej se kishin shkaktuar dëm ekonomik prej 33 milionë lekësh lidhur me tenderat për rikonstruksionin e qendrës së qytetit dhe ndërtimin e rrugëve të ndryshme.
Këto parregullsi u zbuluan gjatë një auditimi të kryer nga KLSH për periudhën janar 2013-dhjetor 2014, ku u evidentuan shkelje në 12 tendera kryesisht për rikonstruksione, rrugë lidhëse dhe mbjellje pemësh dekorative.
Në disa raste, u konstatuan praktika të padrejta në vlerësimin e ofertave, duke përjashtuar operatorë me ofertat më të ulëta për arsye të padrejta.
Prokuroria Speciale është detyruar të marrë nën hetim Roshin, pas një vendimi të GJKKO-së.
“Në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në datë 30.11.2023, është regjistruar kërkesa penale me nr. 23/113 akti, ardhur për shkak të deklarimit të mos kompetencës lëndore nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me objekt: “Pushimin e procedimit penal nr. 317 të vitit 2017, të regjistruar pa autor për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i K.Penal”, me palë kërkuese Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës dhe kallëzues Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Rudina Palloj, bazuar në nenet 112, 75/a, 128, 128/a, 329, 329/a, 329/b e vijues të Kodit të Procedurës Penale, me vendimin nr. 23, datë 26.03.2024, vendosi:
1)Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me objekt: Pushimin e procedimit penal nr.317 të vitit 2017, të regjistruar për veprën penale “Shpërdorim detyre” parashikuar nga neni 248 të K. Penal.
2)Kalimin e akteve që ndodhen pranë kësaj gjykate, të përcjella nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për vijimin e hetimeve, Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
3)Kundër këtij vendimi palët kanë të drejtën e ankimit brenda 15 ditëve nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhej në vendimin e GJKKO-së.
Elvis Roshi ishte ndër politikanët e parë që iu ndërpre karriera për shkak të ligjit të dekriminalizimit.
Atij iu ndërpre mandati pasi u verifikua dhe u provua se kishte fshehur ose nuk kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit rekorde kriminale jashtë vendit. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje