Pas rreth dy orësh ndërprerje të energjisë elektrike, është riparuar avaria në linjën 110 kV të NST Traktora. Pra në disa zona të Tiranës është rikthyer energjia elektrike. Ndërkohë ka ndërprerje në zonën e ‘Astirit” dhe në “Yzberisht”.
Pa energji mbeti edhe Urgjenca e QSUT duke shkaktuar kaos. Por vetë QSUT ka reaguar duke dashur të minimizojë skandalin.
“Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” informon se sot në mbrëmje, për shkak të një defekti në linjën e furnizimit me energji elektrike të tensionit të lartë që furnizon Godinën A2 të QSUT, ka pasur një ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike.
Falë aktivizimit të menjëhershëm të sistemeve rezervë (UPS, Gjeneratorë), aparaturat mjekësore jetike kanë vijuar të funksionojnë normalisht, duke garantuar vijimësinë e trajtimit dhe duke mos u cenuar në asnjë moment jeta e pacientëve.
Menjëherë, ekipet mjekësore, teknike dhe drejtuese janë vënë në gatishmëri të plotë, duke vepruar sipas protokolleve të sigurisë dhe duke ofruar çdo suport të nevojshëm, për garantimin e shërbimit shëndetësor si dhe duke marrë masat e nevojshme.
QSUT siguron qytetarët se situata është menaxhuar me përgjegjësi dhe profesionalizëm dhe se institucioni mbetet në gatishmëri të plotë, për të përballuar çdo situatë, në funksion të mbrojtjes së shëndetit dhe jetës së pacientëve. QSUT ka ngritur menjëherë grupin e punës për verifikimin e situatës”, shprehet QSUT.
Ndërkohë pamjet tregojnë qartë kaosin në urgjencë ku pacientët janë lëvizur mes errësirës.
Po ashtu reagoi Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST). Sipas deklaratës për shtyp të OST, defekti ndodhi rreth orës 20:30, kur u stakua linja 110 kV “Tirana 1 – Uzina Traktori”, për shkak të një harku të hapur në shtyllën 48/4. Brigadat e OST-së dolën menjëherë në terren dhe identifikuan problemin, ndërkohë që në bashkëpunim me OSHEE-në, u aktivizuan linjat rezervë për të minimizuar ndikimin tek konsumatorët.
“Sot në mbrëmje, rreth orës 20:30, u stakua linja 110 kV “Tirana 1 – Uzina Traktori” e Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST). Brigadat e OST-së, në gatishmëri të plotë, identifikuan menjëherë defektin në shtyllën 48/4, i shkaktuar nga një hark i hapur.
Ndërkohë, nënstacioni Traktora dhe konsumatorët e rëndësishëm u furnizuan me energji elektrike me ngarkesë të kufizuar, në bashkëpunim me OSHEE-në, përmes linjës 110 kV “Elbasan – Ibë – Farkë”.
Menjëherë pas identifikimit të defektit, brigadat e linjave në terren morën masat për riparimin e tij. Paralelisht, grupet e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes manovruan linjat rezervë përmes skemave unazë, me qëllim minimizimin e ndikimit te konsumatorët.
Institucionet me rëndësi të veçantë u furnizuan me energji elektrike brenda pak minutash, ndërsa në disa zona të tjera furnizimi u rikthye brenda rreth 30 minutash.
Në orën 22:09, riparimi i defektit përfundoi dhe linja u rikthye në punë, duke garantuar furnizimin e plotë me energji elektrike për të gjithë konsumatorët”, thuhet në njoftim.
Lini një Përgjigje