Pas kaosit të krijuar mbrëmjen e sotme nga ndërprerja e energjisë elektrike në një pjesë të madhe të kryeqytetit, OSHEE ka reaguar përmes një njoftimi zyrtar duke sqaruar shkakun dhe hapat e ndërmarra.
Sipas deklaratës, një avari në linjën 110kV të Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST) ka shkaktuar ndërprerjen e energjisë në disa nënstacione që furnizojnë zonat e Ali Demit, Freskut, ish-Uzinës së Autotraktorëve, Brrylit dhe rreth tyre.
Ndërkohë, për të shmangur kolapsin total, OSSH njofton se ka nisur furnizimin e institucioneve të rëndësishme dhe disa zonave përmes linjave të dyta, duke përdorur skemën e unazës, një rrjet alternativ për situata emergjente.
"Është shfaqur avari në linjën 110kV të OST që furnizon me energji disa nënstacione, kryesisht zona rreth Ali Demit, Fresku, ish-Uzina Autotraktorëve, Brryli, etj. Po bashkëveprojmë me stafet e OST (Operatori i Sistemit të Transmetimit), për zgjidhje të problemit. Ndërkohë OSSH është duke furnizuar nga linja të dyta institucionet e rëndësishme dhe zona të caktuara, përmes skemës unazë", thuhet në njoftimin e OSHEE.
Sipas OSHEE, institucionet e rëndësisë së veçantë kanë marë energji elektrike, si dhe në disa zona është rikthyer brenda 30 minutash. Aktualisht pa energji elektrike janë një pjesë e rrugës “Ali Demi”, zona pranë Teleferikut, Fresku, zonat pranë “Rruga e Elbasanit”, etj.
Lini një Përgjigje