Përdorimi i celularëve si burim provash në hetimet penale ka qenë në fokus të një diskutimi në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Kreu i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK), Klodian Braho, është pyetur mbi peshën e madhe që zënë këto pajisje në proceset hetimore dhe mbi procedurat që ndiqen për administrimin e të dhënave.
Një nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë ka ngritur shqetësimin mbi varësinë e hetimeve nga të dhënat e celularëve.
“Pse e gjithë veprimtaria e SPAK lidhet me sekuestrimin e celularëve?”, pyet ai.
Kjo pyetje vë në dukje raportin e lartë të përdorimit të këtyre pajisjeve si provë, që sipas diskutimit arrin në rreth 75% të totalit.
Kreu i SPAK, Klodian Braho, ka argumentuar se rëndësia e celularëve lidhet me përdorimin e tyre të gjerë në jetën e përditshme dhe potencialin për të përmbajtur të dhëna relevante për hetimet.
“Celularët janë sendet më të përdorshme. Me daljen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese SPAK ka ndryshuar procedurën e këqyrjes dhe marrjes të të dhënave të celularëve , prokurorët i drejtohen gjykatës edhe për të marrë dhe përdorur të dhënat nga celularët. Edhe pse nuk ka ende një ndryshim ligjor në procedurë në lidhje me procedurën që duhet të ndiqet, vendimi i GJK është nisur të zbatohet për aq sa e mendojmë të zbatueshëm. SPAK ka ngritur edhe një grup pune që të rregullohet nga ana juridike situata. Presime të zhvillohet edhe pak praktika e gjykatës”, tha ai.
Lini një Përgjigje