TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet30 Korrik 2024, 16:22

Planifikoi hedhjen në erë të tragetit ku vdiq Armandi Nelaj, lihet në burg biznesmeni Erdion Muho

Shkruar nga Pamfleti
Planifikoi hedhjen në erë të tragetit ku vdiq Armandi Nelaj,
Armandi Nelaj- Eridon Muho

Gjykata e Sarandës ka lënë në burg Eridon Muhon, i cili planifikon shpërthimin me eksploziv në Sarandë.

Gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest në burg” për biznesmenin Erdion Muho, i cili dyshohet për veprën penale “shkatërrim prone me eksploziv” në bashkëpunim mbetur në tentativë.

Seanca u zhvillua në Spitalin e Sarandës, ku Muho mbahet i izoluar që prej arrestimit të tij mbrëmjen e 28 korrikut, për shkak të problemeve shëndetësore.

Muho ka mohuar akuzat ndaj tij teksa është shprehur se nuk ka lidhje fare me ngjarjen.

"Madje atë natë kam qenë në Korfuz. Nuk jam fajtor për çfarë ka ndodhur. Me Armand Nelajn, si sarandjot i vjetër, unë dhe ai njihemi, por deri kaq, jo më shumë. Aq më tepër të kem bashkëpunuar me të. Asnjëherë nuk kam diskutuar me të për një veprim të tillë. Pra nuk kam asnjë lidhje me ngjarjen dhe motivet që dyshon Prokuroria”, tha ai.

Nga ana tjetër avokati mbrojtës, Agron Lamaj, ndërsa është shprehur se klienti i tij është i pafajshëm, i ka kërkuar trupit gjykues, që për klientin e tij të merret një masë më të lehtë, si ai i “arrestit në shtëpi”, për faktin se nuk mund të largohet nga Saranda dhe se është i gatshëm të jetë pranë organit të akuzës sa herë ta kërkojnë.

Në momentin e arrestimit, Eridon Muho ka mohuar autorësinë, ndërsa hetuesit dyshojnë se për shkak të konkurrencës në biznes Muho ka tentuar të hedhë në erë tragetin “Fenikas Lines” të linjës Sarandë-Korfuz.

Një ditë pas arrestimit, ai ka shfaqur shqetësime shëndetësore dhe ka përfunduar në spitalin e Sarandës. 35-vjeçari u prangos për atentatin e dështuar, ku mbeti i vdekur miku i tij Armandi Nelaj.

Për shkak të gjendjes shëndetësore nuk është siguruar dëshmia e plotë. Policia ka analizuar kamerat e sigurisë dhe janë kryesisht pamjet, prova kryesore që e lidhin Muhon me aktin e dështuar të vendosjes së eksplozivit.

35-vjecari merret kryesisht me biznese në fushën e turizmit dhe në QKR rezulton pronar i anijes “Saranda Express” që operon linjën Sarandë-Korfuz dhe agjencisë “Erdano Tours”. Në zgjedhjet parlamentare 2021 ka qenë kandidat për deputet në siglën e partisë Lëvizja për Ndryshim të Jozefina Topallit. Ndërsa viktima Armandi Nelaj ishte biznesmen prej 13 vitesh, pronar i një kompanie të mjeteve të rënda të ndërtimit.

Deri në këtë fazë të hetimeve, rezulton se Erdion Muho prej shumë kohësh ka pasur konflikte me Andrea Qirjakon, pronar i “Fenikas Lines”, i linjes se trageteve Sarandë-Korfuz. Këto konflikte nuk u shuan asnjëherë mes tyre, duke çuar deri në tentativën për vendosjen e tritolit.

Lini një Përgjigje