TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet30 Korrik 2024, 15:39

GJKKO rrëzon kërkesën për ndryshim të masës së sigurisë, lë në "arrest shtëpie" Berishën dhe Malltezin

Shkruar nga Pamfleti

GJKKO rrëzon kërkesën për ndryshim të masës

GJKKO ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi.

Avokatët mbrojtës të Berishës dhe Malltezit kërkuan shpalljen e pavlefshmërisë dhe papërdorshmërinë e akteve si dhe revokimin e masës së sigurisë. Por, GJKKO nuk ka marrë parasysh kërkesat e avokatëve.

Berisha dhe Malltezi ndodhen në arrest shtëpie prej disa muajsh ndërsa po hetohen nga SPAK për procedurat e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.

Njoftimi i GJKKO:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 28.06.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Informacion dy mujor në kuadër të procedimit penal nr.287, viti 2020”.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Irena Gjoka, bazuar në nenet 112, 228, 229, 230, 237, 246 pika 6, 249 dhe 260 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr.400, datë 30.07.2024, vendosi:

 Vijimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale ndaj shtetasit nën hetim Sali Berisha, caktuar me vendimin nr. 520, datë 30.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.

Vijimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale ndaj shtetasit nën hetim Jamarbër Malltezi, caktuar me vendimin nr.56, datë 21.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunimin, dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga nenet 260 e 25 dhe 287/2 të Kodit Penal.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda 5 (pesë) ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Lini një Përgjigje