
Situatë kritike me zjarret thuajse në të gjithë vendin. Përveç Shëngjnit, ku zjarret rrezikojnë bizneset dhe shtëpitë, situatë e rënduar është dhe në disa zona të tjera.
Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një sipërfaqe të mbjellë me ullinj në afërsi të fshatit Kaninë, në Vlorë. Mësohet se zjarri i favorizuar nga era e fortë po përhapet me shpejtësi në zonë.
Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë edhe pyllin e Bodes në njësinë administrative Lozhan të bashkisë së Maliqit. Në kushte të tilla punonjësit e shërbimit zjarrfikës se bashku me dy mjetet e tyre kanë qenë të detyruar të largohen nga vatra e zjarrit pasi rrezikohej jeta e tyre.
Për momentin zjarrfikësit po krijojnë korridore për mos lejimin përhapjes së flakëve në sipërfaqet e tjera me pishë dhe ah.
Terreni i thyer malor dhe mungesa e rrugëve nuk lejon punonjësit e shërbimit zjarrfikës të shkojnë aty ku vatrat janë më aktive me mjetet që kanë në dispozicion. Për këtë arsye është bërë thirrje për ndihmë nga shërbimet e tjera zjarrfikëse të qarkut të Korçës e mbi të gjitha ndërhyrja nga ajri.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në 24 orët e fundit ka vijuar pa ndërprerje puna për shuarjen e zjarreve në disa zona të vendit. Janë shuar 13 vatra zjarri nga 20 të evidentuara në 24 orët e fundit, mes tyre edhe zjarri në fushën e mbetjeve në qytetin e Vlorës.
Por vijojnë të jenë aktive sot zjarret në:
Fshatin Zogaj, bashkia Tropojë, I cili është izoluar plotësisht në kufi me bashkinë Has dhe vijon aktive me intesitet të ulët në veri të lagjes Hajdarmataj. Strukurat e pushtetit vendor të mbështetura nga Forcat e Armatosura po vijojnë operacionin në atë zonë. Por punohet për shuarjen e vatrës në fshatin Hoten, bashkia Vau Dejës. Zjarri ka intensitet të ulët dhe nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.
Zjarri në fshatin Mal-Shëngjin, bashkia Lezhë, i cili është aktiv prej disa ditësh, pasditen e djeshme u përhap menjëherë duke vënë në rrezik bizneset dhe zonat e banuara.
Pas ndërhyrjes nga ajri është bërë e mundur shmangia e rrezikut për qytetarët. Sot vijon operacioni nga toka dhe ajri.
Vijon të jetë aktiv zjarri në fshatin Zavalinë, bashkia Elbasan, ku janë angazhuar në aksion strukturat e pushtetit vendor të mbështetura nga Forcat e Armatosura.
Puna Po vijon edhe në dy vatra të tjera, në kodrat e ligenit të Viroit, në Gjirokastër dhe fshatin Lozhan, bashkia Maliq.
Mirënjohje për të gjitha forcat operacionale të angazhuara në këto operacione për shuarjen e zjarreve, një pjesë e të cilave shkaktuar qëllimisht nga dora e njeriut. Ju bëjmë thirrje banorëve të bëjnë kujdes.
Lini një Përgjigje