TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 7 Janar 2026, 11:08

Përmbytjet në Kurbin, banorët në protestë: Bizneset kanë falimentuar, Majlinda Cara nuk na përgjigjet

Shkruar nga Pamfleti
Përmbytjet në Kurbin, banorët në protestë: Bizneset
Përmbytjet në Kurbin, banorët në protestë

Banorët e fshatit Gjorm në Kurbin janë ngritur në protestë, pas përmbytjeve të vazhdueshme dhe dëmtimit të rrugës nga reshjet e shiut.

Në shenjë proteste ndaj mosveprimit të autoriteteve për parandalimin e përmbytjeve, banorët kanë bllokuar për disa minuta rrugën nacionale Laç–Mamurras ku nuk munguan as përplasjet.

Sipas banorëve, kjo situatë është e përsëritur dhe vjen si pasojë e mungesës së ndërhyrjeve në pastrimin dhe sistemimin e kanaleve kulluese, çka bën që zona të përmbytet sa herë ka reshje të dendura shiu.

“Prapë e njëjta situatë, pas 20 ditësh, hyri uji në biznes dhe asnjë masë nuk u mor. Prapë u përsërit e njëjta gjë. Janë 200-300 familje këtu dhe nuk kanë bërë asnjë ndërhyrje. Të kalojë 1 metër e gjysmë ujë mbi rrugën nacionale, është krim. Vetëm t’i vendos çelësit biznesit, kam për të shpallur falimentin.

Kemi marrë mbrëmë bashkinë e policinë, askush nuk është përgjigjur. Na kanë thënë vetëm gjeni mjetet se naftën ua sjellim ne.

Kryetarja e bashkisë duhet të jetë në krye të emergjencave. Këtu nuk shihet asnjë. Po të mos ishim ne me lopata do ishim përmbytur të gjithë.”

Kemi bllokuar rrugën me sensibilizuar institucionet e shtetit. Nuk kemi ku të lëvizim nga uji. Kjo situatë është e përsëritur ka 5 vite. Asnjë lloj ndërhyrje nuk është bërë përveç se çfarë kemi bërë vetë. As këtë 100 metra rrugë nuk e kanë mbushur me zhavorr.”, u shprehën disa nga banorët.

Në mbështetje të protestës ishte edhe deputeti i Partisë Demokratike, Kastriot Piroli, i cili u shpreh se Kurbinin e kanë lënë në mëshirë të fatit dhe se kjo situatë është e papranueshme për banorët.

“Këtu ndodhemi në rrugën nacionale që lidh Laçin me Mamurrasin. Pa kaluar 1 muaj kur këta banorë të fshatit Gjorm dhe Zheji, u përmbytën përsëri. Ka gati 14 vite që bashkia drejtohet nga PS dhe nuk është vënë dorë në asnjë cep të fshatit”, tha deputeti.

Gjormi mbetet një nga zonat më të prekura nga përmbytjet në Bashkinë Kurbin. Kjo situatë është përsëritur brenda një harku kohor prej rreth gjashtë javësh, duke shkaktuar dëme të shumta materiale në banesa dhe biznese, dhe duke vështirësuar jetën e banorëve.

përmbytjet në kurbin banorët në protestë majlinda cara

Lini një Përgjigje