
Apeli i Posaçëm ka vendosur lirimin nga qelia të ish-kryeprokurorit të Vlorës, Aurel Zarka, i cili ndodhej në burg që prej qershorit të vitit 2024.
Vendimi është dhënë nga gjyqtari Florjan Kalaja, pasi dëgjoi argumentet e avokatit mbrojtës dhe prokurorit të çështjes, të cilët kërkuan lirimin e Zarkës.
Lirimi i tij vjen pasi ish-drejtuesi i Prokurorisë së Vlorës ka përfunduar shlyerjen e dënimit.
Aurel Zarka u dënua me 4 vite burg për veprat penale të “korrupsionit” dhe “ndikimit të paligjshëm” në dosjen e njohur si “Toyota Yaris”. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul në 2 vite e 8 muaj burg.
Hetimet për çështjen “Toyota Yaris” nisën pas sekuestrimit të 3.4 milionë eurove cash në portin e Durrësit, në qershor të vitit 2018. Paratë ishin fshehur në dy automjete të përdorura, të importuara nga Belgjika.
Njoftimi i Gjykatës:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Florjan Kalaja (kryesues), Engert Pëllumbi (anëtar) dhe Tereza Merkaj (anëtare), sot më 09.05.2026, disponoi për çështjen penale nr. 131 akti, datë 08.05.2026 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesit A.Z:
“1. Shuarja e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, caktuar me Vendimin nr. 87 Akti, datë 28.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj të pandehurit A.Z.
2. Urdhërimi i lirimit të menjëhershëm të të pandehurit A.Z nga ambientet e paraburgimit (I.E.V.P. Durrës)” dhe vendosi:
1. Konstatimin e shuarjes së masës së sigurimit “Arrest në burg” të caktuar ndaj të pandehurit z. A.Z me Vendimin nr. 87 Akti, datë 28.07.2024 dhe të verifikuar me Vendimin nr. 92, datë 31.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
2. Urdhërimin e lirimit të menjëhershëm të të pandehurit z. A.Z nga ambientet e paraburgimit, nëse liria e tij personale nuk kufizohet për një shkak tjetër ligjor.
3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs brenda 45 ditëve, nga e nesërmja e njoftimit të arsyetuar të vendimit.
Lini një Përgjigje