TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 9 Maj 2026, 12:57

Policia “blindon” akset rrugore, Skënder Hita: Gati sistemi i ri inteligjent për vendosjen e gjobave

Shkruar nga Pamfleti
Policia “blindon” akset rrugore, Skënder Hita: Gati sistemi i
Skënder Hita gjatë takimit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i shoqëruar nga Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike dhe Drejtori i Policisë Rrugore, ka zhvilluar një vizitë në Qendrën Kombëtare të Monitorimit të Trafikut.

Ai u prit nga Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Ami Kozeli, si dhe nga drejtuesit e qendrës, ku në fokus të takimit ishte bashkëpunimi për përdorimin e pamjeve të kamerave dhe radarëve në funksion të Policisë së Shtetit.

Sipas autoriteteve, pamjet e siguruara nga kamerat ekzistuese dhe pajisjet e reja që do të instalohen do të përdoren për evidentimin dhe ndëshkimin e shkeljeve të qarkullimit rrugor, por edhe për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe dokumentimin e tyre ligjor.

"Përdorimi i mjeteve bashkëkohore logjistike dhe i teknologjisë inteligjente, duke minimizuar kontaktin e drejtpërdrejtë të punonjësve të Policisë me përdoruesit e rrugës, do të ndikojë pozitivisht jo vetëm në rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, por edhe në forcimin e imazhit të vendit dhe të Policisë së Shtetit”, tha Hita gjatë takimit.

Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i ARRSH-së, Ami Kozeli, vlerësoi bashkëpunimin institucional me Policinë e Shtetit dhe theksoi rëndësinë e koordinimit mes institucioneve për rritjen e sigurisë në akset rrugore dhe përmirësimin e monitorimit të trafikut.

Në përfundim të takimit, Hita dhe Kozeli ranë dakord që bashkëpunimi për përftimin e pamjeve të finalizohet, si dhe të realizohet kalibrimi i radarëve në akset rrugore dhe tunele, me qëllim që të dhënat e siguruara t’i vihen në dispozicion Policisë së Shtetit për verifikimin dhe ndëshkimin administrativ të shkeljeve.

drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit skënder hita

Lini një Përgjigje