Mbi gjysma e ndërmarrjeve aktive në vend, ose rreth 50.9% e tyre, operuan pa asnjë të punësuar me page, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT.
Ky fenomen i dominimit të vetëpunësimit bëhet edhe më i dukshëm te sipërmarrjet që hyjnë rishtazi në treg, ku shifra e bizneseve që regjistrohen me zero punonjës rritet në 56.9%. Te dhënat tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e aktivitetit ekonomik në vend mbështetet te individi i vetëm, duke krijuar një strukturë të fragmentuar që ofron pak hapësirë për punësim masiv.
Në nivel sektorial, peshën kryesore të këtij trendi e mbajnë aktivitetet e shërbimeve dhe transporti.
Sektori i shërbimeve të tjera kryeson listën me 67.1% të ndërmarrjeve pa punonjës, i ndjekur ngushtë nga transporti dhe magazinimi, ku dy në tre biznese aktive nuk kanë asnjë person të punësuar me pagë.
Situatë e ngjashme paraqitet edhe në sektorët e teknologjisë dhe tregtisë, ku shifrat luhaten mbi 55%, duke konfirmuar se edhe në degët që konsiderohen me rritje të shpejtë, siç është informacioni dhe komunikacioni, modeli i punës mbetet kryesisht individual.
Edhe më shqetësues paraqitet profili i bizneseve të reja që lindin në sektorin e shërbimeve, ku gati 74% e tyre nisin aktivitetin pa asnjë të punësuar.
Ndërkohë, sektorët që kërkojnë investime kapitale dhe makineri, si industria nxjerrëse apo prodhimi i energjisë, mbeten të vetmet ku bizneset me zero të punësuar janë në pakicë.
Një nga arsyet kryesore lidhet me politikat fiskale dhe lehtësitë tatimore për biznesin e vogël. Për vite me radhë, fasha e bizneseve përfituar nga tatim-fitimi zero dhe skema të thjeshtuara administrative.
Kjo ka krijuar një nxitje ekonomike që individët të regjistrohen si persona fizikë (shpesh si konsulentë, IT, apo tregtarë) për të optimizuar taksat, në vend që të punësohen me pagë në një kompani tjetër, ku barra e sigurimeve dhe tatimit mbi të ardhurat personale do të ishte më e lartë.
Shumica e bizneseve në Shqipëri operojnë në sektorë si tregtia me pakicë, transporti (taksitë apo shpërndarja) dhe shërbimet profesionale, të cilat kërkojnë kapital minimal fillestar. Në këto kushte, individët e shohin më të lehtë të hapin një njësi ekonomike vetjake sesa të bashkohen në struktura më të mëdha, duke çuar në atë që njihet si fragmentim i tregut.
Gjithashtu dhe puna freelance ka luajtur një rol të rëndësishëm vitet e fundit, veçanërisht në sektorin e informacionit dhe komunikacionit. Shumë profesionistë të rinj ofrojnë shërbime për klientë vendas apo të huaj duke u regjistruar si subjekte më vete, pa pasur nevojë apo mundësi për të punësuar të tjerë.
Ky përqendrim kaq i lartë i bizneseve pa punonjës në pjesën dërrmuese të aktiviteteve ekonomike tregon se ekonomia shqiptare po prodhon kryesisht mikro-ndërmarrje të cilat, ndonëse mbajnë gjallë konsumin, kanë një kapacitet shumë të kufizuar për të gjeneruar mirëqenie përmes rritjes së pagave apo zgjerimit të tregut të punës./Monitor
Lini një Përgjigje