TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 8 Maj 2026, 21:48

Mjegulla bllokon Kardhiqin, Elbasani paralizohet nga trafiku i fundjavës

Shkruar nga Pamfleti
Mjegulla bllokon Kardhiqin, Elbasani paralizohet nga trafiku i fundjavës
Mjegulla në Kardhiq

Moti i paqëndrueshëm dhe kushtet e rënduara atmosferike kanë sjellë probleme serioze në disa prej akseve kryesore rrugore të vendit gjatë kësaj fundjave.

Në aksin Kardhiq – Delvinë, që nga dalja e tunelit dhe në gjithë zonën përreth, mjegulla e dendur që ka nisur pasditen e së shtunës vijon edhe në këto momente, duke ulur ndjeshëm shikueshmërinë dhe duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve.

Sipas burimeve të policisë rrugore, deri tani janë regjistruar pesë aksidente me dëme materiale, ndërsa patrullat e Policisë së Sarandës ndodhen në terren për të orientuar drejtuesit e mjeteve. Autoritetet u kanë kërkuar shoferëve të ulin shpejtësinë dhe të përdorin dritat gjatë lëvizjes.

Ndërkohë, reshjet e shiut nuk kanë ulur fluksin e lëvizjeve në Elbasan, ku trafiku i rënduar është kthyer sërish në problem kryesor të fundjavës.

Radhë të gjata automjetesh janë krijuar në hyrjen nga aksi i Tiranës, në zonën e Bradasheshit, si edhe në daljet drejt Librazhdit dhe Korçës. Drejtuesit e mjeteve janë përballur me vonesa dhe lëvizje të ngadalta për disa kilometra.

Sipas specialistëve të qarkullimit rrugor, gjatë fundjavave në segmentet kryesore të Elbasanit qarkullojnë deri në 30 mijë automjete, ndërsa në ditët normale fluksi varion nga 18 deri në 25 mijë mjete.

Ekspertët e transportit e lidhin situatën me mungesën e kapaciteteve infrastrukturore për të përballuar volumin aktual të automjeteve. Ndërtimi i Bypass-it të Elbasanit konsiderohet si projekti kryesor për lehtësimin e qarkullimit në vitet e ardhshme.

Policia rrugore ka shtuar prezencën në terren si në jug të vendit ashtu edhe në Elbasan për të shmangur aksidentet dhe bllokimet totale në akset më problematike.

mjegull elbasan kardhiq

Lini një Përgjigje