
Policia ka shoqëruar tre protestues pas incidenteve të regjistruara gjatë protestës së zhvilluar këtë të premte në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku mbështetës të Partisë Demokratike tentuan të lëviznin në drejtim të Ministrisë së Brendshme.
Sipas informacioneve paraprake, kordoni i policisë bllokoi avancimin e protestuesve, ndërsa situata u tensionua me përplasje mes demonstruesve dhe forcave të rendit.
Gjatë protestës u shënuan disa akte dhune, ku protestues hodhën gurë, lëndë piroteknike, fishekzjarrë dhe bomba molotov në drejtim të efektivëve të Policisë.
Si pasojë e incidenteve, tre punonjës të Policisë së Forcës Kombëtare të Sigurisë mbetën të lënduar. Ata u transportuan për ndihmë mjekësore në Spitalin Ushtarak dhe, sipas autoriteteve, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Policia nuk ka dhënë ende detaje të mëtejshme lidhur me identitetin e protestuesve të shoqëruar apo akuzat që mund të ngrihen ndaj tyre, ndërsa hetimet për incidentet vijojnë.
Lini një Përgjigje