Ish-prefekti i Tiranës ka mbajtur disa poste drejtuese në administratë dhe strukturat e PS
Afrim Qendro është emëruar në detyrën e kreut të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.
Ai mbante deri pak ditë më parë postin e Prefektit të Qarkut Tiranë. Me këtë lëvizje, Qendro kalon nga administrata territoriale në drejtimin e institucionit që mbikëqyr zbatimin e ligjit në fushën e ndërtimeve dhe mbrojtjes së territorit.
Qendro prej nëntorit të 2021 ka mbajtur postin e prefektit Tiranës, vend ky në të cilin u vendos Shkëlqim Hajdari pak ditë më parë.
Ai njihet për angazhimin e tij në administratën vendore dhe në strukturat e Partisë Socialiste. Gjatë kohës kur Edi Rama drejtonte Bashkinë e Tiranës, Qendro ka qenë pjesë e bashkëpunëtorëve të tij.
Në karrierën publike ka drejtuar Ndërmarrjen Nr.1 në Bashkinë e Tiranës dhe më pas Inspektoratin Ndërtimor të kryeqytetit. Ai ka mbajtur edhe postin e drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, si dhe detyrën e nënkryetarit të Bashkisë së Vlorës.
Në planin politik, Qendro ka ushtruar funksionin e koordinatorit elektoral të PS në qarqet Tiranë dhe Vlorë, si dhe ka qenë anëtar i Asamblesë Kombëtare dhe i Asamblesë së Tiranës.
Emërimi i tij në krye të IKMT-së pason një seri detyrash drejtuese në administratën qendrore dhe vendore.
Lini një Përgjigje