Çështja e pagave për gjyqtarët e prokurorët ka prodhuar një seri përplasjesh mes Kryeministrit dhe shoqatave që përfaqësojnë magjistratët. Rama i ka drejtuar disa apele Gjykatës Kushtetuese që të jetë e kujdesshme në vendimmarrje, duke synuar rrëzimin e ankimit...
Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk kanë dalë me një vendim në seancën e sotme lidhur me kërkesën e depozituar nga shoqata gjyqtarësh dhe prokurorësh, që kërkojnë një rivlerësim të pagave të tyre.
Anëtarët e Kushtetueses kanë kërkuar më shumë kohë për marrjen e një vendimi, çka do të thotë se nuk kanë arritur të sigurohet një shumicë prej të paktën 5 anëtarësh që të mund të arrihet vendimmarrja.
Kjo është një praktikë tashmë e njohur për Kushtetuesen, sa herë që anëtarët e saj ndahen 4 me 4.
Tashmë mbetet për tu parë se kur anëtarët e Kushtetueses do të mblidhen për të marrë një vendim, i cili duket se më shumë mban në "ankth" Kryeministrin se sa shoqatat që i janë drejtuar Gjykatës për nivelin e pagave.
Përplasja e Ramës me gjyqtarë e prokurorë
Kërkesa është kundërshtuar ashpër nga Kryeministri Edi Rama, i cili në deklarata publike ka kërkuar nga Kushtetuesja që të mos marrë parasysh ato që Kreu i Qeverisë i konsideron “qiqra në hell”.
“Përsëri çështja e pagave të gjyqtarëve ka qëndruar në rendin e ditës, ka pasur komente, çudira që e kanë shoqëruar debatin, përves dy shoqatave një gjyqtarësh e prokurorësh, gjykatësit janë vetëvendosur në syrin e ciklonit popullor, në lidhje me një pakënaqësi popullore, për kërkesën e rritjes së pagave, kjo e lidhur me anketimin e brendshëm ku 90% janë kundër rritjes së pagave dhe një pjesë mendojnë t’u ulet paga, sepse janë të pamenduara dhe të padrejta. Ndërkohë që gjykatësit mendojnë tu rritet paga.
Zërat thonë se pagat e tyre po ulen, se pagat e të tjerëve po rriten. Ajo që kemi bërë për reformën në drejtësi ka qenë shprehja e vullnetit të fortë në lidhje me pagat e tyre, do paguhet ekstra me sakrificën tonë, se pasi të kalojnë vettingun do përballen me pavarësinë e pushtetit gjyqësor, sfidën, bazuar në vlerat e kushtetutës, jetës demokratike, në shërbim të qytetarëve dhe garant të shërbimit të ligjit.", tha Rama.
Por debati nuk mbeti me kaq, pasi ishin ankimuesit në Kushtetuese që iu përgjigjën Kryeministrit.
“Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të zhvillimeve të fundit dhe debatit publik rreth gjykimit kushtetues mbi pagat e magjistratëve, në përmbushje të misionit dhe veprimtarisë së saj, e konsideron të domosdoshme të shprehë një qëndrim zyrtar në funksion të mbrojtjes së parimeve të shtetit të së drejtës dhe pavarësisë së sistemit të drejtësisë.
Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë i bashkohet qëndrimeve publike dhe kërkimeve të argumentuara tashmë në mënyrë shteruese nga shoqatat e gjyqtarëve përpara Gjykatës Kushtetuese. Theksojmë se çdo ndryshim ligjor që passjell regres në standardet e njohura më parë dhe ulje të pagave të magjistratëve, përbën cenim të garancive kushtetuese.
Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë shpreh besimin e saj të plotë në Gjykatën Kushtetuese si autoriteti i vetëm legjitim për të dhënë fjalën përfundimtare në këtë proces, si dhe mbështet çdo përpjekje institucionale dhe civile që synon forcimin e rendit kushtetues, pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe mbrojtjen e standardeve demokratike në vend”, thuhet në reagimin e Prokurorëve.
Ndërkohë shoqata e gjyqtarëve në një reagim akuzon Ramën për tymnajë populiste.
“E gjithë kjo tymnajë populiste është krijuar dhe shpërndarë me qëllim linçimin e gjyqtarëve dhe shoqatave të tyre”, thuhej në deklaratë.
“Në gjithë këtë fushatë qeveritare dhe të shumëzuar mediatikisht, të nxitur dita-ditës për të krijuar furinë populiste kundër një procesi gjyqësor kushtetues, duhet që të përmenden disa fakte historike, të cilat neglizhohen për t’u cituar, qëllimisht nga disa dhe nga padijenia e mirëkuptueshme e të tjerëve”, thuhet në deklartë që ndalet në ligjet e vitit 2016 ku theksohet se parashikimet kanë qenë që statusi financiar i pagës së magjsitratëve do të ishte gati një e treta në vlerë absolute e asaj se çfarë u miratua në Kuvend në nëntor të vitit 2026 pa debat.
“Përmes këtij reagimi kërkojmë që të përcjellim publikisht se të gjitha iniciativat civile dhe kushtetuese të shoqatave të gjyqtarëve nuk kanë si qëllim “rritjen e pagës”, një term ky i zgjedhur qëllimisht, i gënjeshtërt dhe spekulant, vetëm e vetëm për t’i kundërvënë procesit gjyqësor kushtetues populizmin, si armë e pafuqisë juridike dhe e fuqisë së përbaltjes.”, thuhet më tej në deklaratë. Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve e akuzon qeverinë se e ka prerë në besë dhe se iniciativa tregon sipas tyre, se është qeveria që kërkon të çbëjë nenin 138 të Kushtetutës dhe ta shndërroj procesin gjyqësir kushtetues në gjyq popullor”, thuhet në reagimin e Shoqatës së Gjyqtarëve.
Ankimimi
Në mars të vitit 2025, Unioni i Gjyqtarëve kërkoi shfuqizimin e ndryshimeve ligjore që u bënë për pagën e tyre në vitin 2023, ku u përcaktua se rroga bazë e magjistratëve do të ishte sa 36% e pagës së Presidentit, pra 153.000 lekë.
Më herët referenca mbi të cilën llogaritej rroga ishte 132,100, aq sa ishte paga e drejtorit të departamentit në Kryeministri.
Pra me ndryshimin e ligjit nga qeveria rritja ishte me mbi 20 mijë lekë të reja.
Por kjo rritje u konsiderua si ulje nga ana e gjyqtarëve. Kjo për shkak se në të njëjtën kohë, qeveria rriti pagat për administratën publike. Dhe paga e drejtorit të departamentit në Kryeministri u rrit në 231 mijë lekë të reja.
Pra gjyqtarët thonë se ndryshimi i referencës së pagës së tyre nga ajo e drejtorit të departamentit në Kryeministri te ajo sa 36% e pagës së Presidentit, ua ka ulur pagën dhe nëse s’do bëhej ky ndryshim ajo do të ishte 78 mijë lekë të reja më e lartë.
Për këtë arsye gjyqtarët kërkojnë nga Kushtetuesja ose rikthim në referencën e parë ose një përcaktim sa 54.3% e pagës së Presidentit plus pasqyrim të çdo rritje rrogash në tërësi.
Duke pasur parasysh formulën e llogaritjesh së pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve sipas ligjit, rritja shkon nga 1800 euro për magjistratët e shkallës së parë, deri në 3000 euro plus për Apelin e GKKO dhe SPAK. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje