
Ju ftojmë të ndiqni zhvillimet kryesore nga kronika e zezë deri në këtë orë të ditës, ku ndër të tjera veçojmë:
Një grabitje e dhunshme tronditi sot Tiranën. 58-vjeçai Bardhyl Fusha, hyri në një filial banke me një kallashnikov dhe hapi zjarr në dysheme për të trembur punonjësit.
Ai arriti të marrë rreth 20 milionë lekë të vjetra, por u kap menjëherë nga policia që kishte mbërritur në vendngjarje pas një thirrjeje qytetare.
Fusha deklaroi se motivi i tij ishte gjendja e rënduar financiare, pasi ishte i zhytur në borxhe, dhe rezulton të jetë biznesmen në fushën e ndërtimit.
Ndërkohë, drejtësia ndërkombëtare vijon punën.
Sergei Hasanpapaj, 32-vjeçari i dyshuar për vrasjen e Bledar Muçës, krahut të djathtë të klanit Çapja në Elbasan, është ekstraduar nga Belgjika për t’u përballur me drejtësinë shqiptare.
Ndërsa në Shqipëri, dosja “Plumbi i Artë” vazhdon në Gjykatën e Posaçme, ku Henrik Hoxha ka rrëfyer për përfshirjen e tij në vrasje të porositura dhe atentate ndaj personave të njohur të botës kriminale, duke përfshirë Lulëzim Mashën dhe Sokol Sanxhaktarin.
Në gjyqësor, Festim Bexhdili ka dorëzuar sërish rekurs në Gjykatën e Lartë, duke kundërshtuar vendimin e Apelit që e dënoi me burgim të përjetshëm për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës.
Ndërkohë, Prokuroria ka pezulluar tre punonjës të IMT-së për shpërdorim detyre, pasi nuk konsideruan të paligjshëm një ndërtim pa leje në zonën e Selitës.
Operacionet kundër drogës vijojnë në Elbasan, ku policia ka arrestuar disa persona dhe ka sekuestruar 45 kilogramë kanabis dhe armë luftarake, duke goditur një grup kriminal të organizuar.
Ndërsa një tjetër operacion, por me natyrë tjetër, u zhvillua në Fier, ku u arrestuan dy shtetase të huaja për prostitucion në një banesë të marrë me qira; policia sekuestruar para, euro dhe lekë, si dhe pesë celularë.
Katër anëtarët e familjes Kola që humbën jetën në Itali nga helmimi me monoksid karboni u prehën sot në vendlindje.
Një punonjëse pastrimi në Kuçovë kërcënoi me vetëvrasje duke hipur mbi një kullë, për shkak të dy muajve pa pagë.
Në Hagë, në procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, mbrojtja e Kadri Veselit dhe të tjerëve kundërshton provat e Prokurorisë, duke kërkuar lirimin dhe hedhur poshtë pretendimet për përfshirjen e tyre në krime lufte.
Në plan ndërkombëtar, një përleshje mes grupeve shqiptare në Athinë la tre persona të plagosur rëndë me thika, ndërsa Kanadaja zbuloi autorin e sulmit në një shkollë të mesme, një 18-vjeçare transgjinore.
Lini një Përgjigje