TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet12 Shkurt 2026, 14:55

"Do të bllokojmë kamionët", banorët e Gramzës sërish në protestë për rrugën; bëjnë gati peticionin për ARRSH

Shkruar nga Pamfleti
"Do të bllokojmë kamionët", banorët e Gramzës
Foto nga protesta e banorëve të fshatit Luz

Banorët e fshatit Luz dhe Gramëz kanë dalë sërish në protestë, duke kërkuar zgjidhje për gjendjen e amortizuar të rrugës që lidh zonën e tyre me akset kryesore.

Mëngjesin e sotëm, ata bllokuan qarkullimin për rreth një orë, duke ndalur dhjetëra trailerë dhe mjete të rënda që kalonin në këtë segment. Sipas banorëve, rruga është në gjendje të rënduar dhe përbën rrezik serioz për sigurinë e tyre.

Në protestë ishte i pranishëm edhe përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Aulon Kalaja, i cili shprehu mbështetjen për kërkesat e komunitetit.

Banorët firmosën një peticion drejtuar Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), përmes të cilit kërkojnë informacion zyrtar mbi përgjegjësinë institucionale për rrugën, nisjen e rikonstruksionit dhe afatet konkrete të ndërhyrjes.

“Sot banorët kanë nëshkruar një peticion i punuar nga avokatë dhe inxhinerë rrugësh. Peticioni do të dërgohet në ARRSH për një përgjigje zyrtare për këtë rrugë”, tha ndër të tjera Kalaja.

Banorët theksojnë se ankesat për rehabilitimin e rrugës janë bërë disa herë, por sipas tyre nuk ka pasur reagim nga institucionet përgjegjëse.

“Për këtë rrugë kemi bërë disa herë ankesë për ta shtruar, por na kanë lënë pas dore. Ne duam që të rregullohet rruga si ka qenë më përpara ose do të bllokojmë kamionët. Nuk ka asnjë lloj reagimi as nga Bashkia as nga ata në Tiranë”, tha një banor i fshatit Luz.

“Është e gjashta herë që ne dalim, protesta do të vazhdojë derisa të marrim një përgjigje”, u shpreh një banor tjetër.

Banorët paralajmërojnë se do të vijojnë protestat deri në marrjen e një përgjigjeje zyrtare dhe nisjen konkrete të punimeve për rehabilitimin e rrugës.

 

banor proteste gramez rruga peticioni per arrsh

Lini një Përgjigje