TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet30 Maj 2024, 20:01

Nuk ndalet babëzia në administratë, 2 miliardë lekë të “grabitura” brenda 4 muajsh

Shkruar nga Pamfleti
Nuk ndalet babëzia në administratë, 2 miliardë lekë
Kontrolli i Lartë i Shtetit

Gjatë periudhës janar-prill 2024, për 19 auditimet e përfunduara, KLSH ka adresuar rekomandime për 344 masa organizative dhe 3 propozime për ndryshime apo përmirësime ligjore...

Nuk ndalet babëzia në administratë. Kontrolli i Lartë i Shteti vijon të zbulojë se si në institucione abuzohet në mënyrë të frikshme. KLSH ka publikuar buletinin e auditimeve për periudhën janar-prill 2024 dhe ka pasur 2,089,223,000 lekë të reja dëm.

Sipas KLSH, ka konstatuar 20,790, 000 lekë dëm ekonomik; 2,000,168, 000 lekë efekte negative për shkak të parregullsive dhe 86,979, 000 lekë mangësi në aktivitetin kontrollues tatimor.

Në periudhën janar - prill 2024, auditimet e kryera kanë përfshirë vlerësimin e aktivitetit në 29 subjekte, duke përfshirë nivele të ndryshme të qeverisjes si: institucione qendrore, ministri dhe agjenci (përfshirë drejtori qendrore dhe rajonale në varësi të tyre), njësi të vetëqeverisjes vendore, drejtori të përgjithshme të administrimit fiskal, si dhe shoqëri aksionere me kapital shtetëror në të cilat shteti zotëron mbi 50% të aksioneve, apo projekte me financim të huaj”, njofton KLSH.

Gjatë periudhës janar-prill 2024, për 19 auditimet e përfunduara, KLSH ka adresuar rekomandime për 344 masa organizative dhe 3 propozime për ndryshime apo përmirësime ligjore, në institucionet publike të audituara, me qellim marrjen e masave për përmirësimin e situatës.

Vlera e efekteve financiare me pasojë dëm ekonomik në buxhetin e shtetit, është konstatuar në fushën e shpenzimeve, në zërin “Shpenzime në procedura prokurimi dhe zbatim punimesh” në shumën 20,697 mijë lekë, sa i takon shkeljeve në: përgatitjen e dokumentacionit të tenderit, hartimin e specifikimeve teknike dhe kritereve të vlerësimit, likujdimit të faturave për zërat e punimeve të pa kryera etj, ku peshën më të madhe e zënë subjektet si: Bashkia Fier në vlerën 5,243 mijë lekë; Bashkia Shkodër në vlerën 3,662 mijë lekë; dhe Bashkia Lezhë në vlerën 1,662 mijë lekë”, njofton KLSH.

Kontrolli i Lartë i Shtetit, gjatë periudhës janar – prill 2024, ka evidentuar shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e administrimit të të ardhurave, shpenzimeve dhe në përdorimin e fondeve publike në vlerën totale 2,000,168 mijë lekë nga të cilat: 1,854,214 mijë lekë në fushën e të ardhurave (ose rreth 93% e totalit) kryesisht ne te ardhurat e qeverisjes lokale për çështje që lidhen me detyrime për taksat dhe tarifat vendore, mos tarifimit/përllogaritjes së gabuar/mos aplikim të kamat vonesave për përdorimin e pronave të bashkisë nga subjektet private; detyrimeve të pashlyera për subjektet që ushtrojnë aktivitet në fushën e tregtimit të lëndëve djegëse me pakicë etj; dhe 145,954 mijë lekë në fushën e shpenzimeve (ose rreth 7% e totalit), si rezultat i shkeljeve të disiplinës buxhetore lidhur me likuidimin e shpenzimeve, keq menaxhimin e fondeve të programuara apo mungesë kontrolli në realizimin e procedurave të prokurimit jo në përputhje me kuadrin ligjor.

Bazuar në Ligjin nr. 154, datë 27.11.2014 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, KLSH, për të metat dhe shkeljet e konstatuara, ka adresuar tek subjektet e audituara 208 rekomandime për masa administrative dhe disiplinore, nga të cilat 184 masa disiplinore dhe 24 masa administrative.

Konkretisht, për shkeljet e konstatuara në bazë të ligjit të mësipërm, Ligjit nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil”, neni 58 dhe Kodit të Punës, KLSH u ka kërkuar organeve respektive shqyrtimin dhe marrjen e 169 masave disiplinore (pasi për 15 masa të tjera, punonjësit kanë rezultuar të larguar nga puna). /Pamfleti

Lini një Përgjigje