
Në bankën ku ulej Endi Bardhi, ende qëndrojnë buqetat me lule, letrat, kartolinat që shokët dhe shoqet e klasës ia kanë dedikuar. Atje në parajsë, më të mirës! E kanë të vështirë ta pranojnë se nuk është mes tyre, ndaj refuzojnë ta lënë bosh vendin e shoqes.
Endi, një vogëlushe shumë energjike që nuk kishte vuajtur asnjëherë nga ndonjë sëmundje, u nda papritur nga jeta më 8 shkurt 2025.
Familja është ende e tronditur për ndarjen hershme nga jeta të saj. Këtë Maj, ajo do të ndizte 12 qirinj mbi tortën e ditëlindjes.
Mëngjesin e tragjedisë, e mitura ka shkuar si cdo dite në shkollën “Njazi Mastori” në Sukth pa asnjë shqetësim. Sapo përfundoi ora e parë e mësimit, është ankuar për dhimbje koke dhe humbi ndjenjat në klasë.
Siç edhe dëshmojnë prindërit, ndihma e parë i është dhënë menjëherë pasi shkolla ndodhet shumë pranë qendrës shëndetësore. Në një kohë rekord ka mbërritur në spitalin rajonal të Durrësit.
E ëma, mësuese gjimnazi, që ka qenë pranë së bijës brenda 2-3 minutash, rrëfen për Inside story të gjithë kalvarin e asaj dite të tmerrshme. Prindër të dy vajzave, bashkëshorti ishte larguar për të punuar drejt Gjermanisë vetëm 3 ditë para ngjarjes. Sot ata mbajnë mbi peshë jo vetëm humbjen e së bijës por edhe dyshimin se ajo nuk u trajtua siç duhet.
E ëma tregon se fillimisht në spitalin e Durrësit iu bë një set me analiza si dhe eko kardiologjike që rezultuan mirë. Doktoresha që e priti në urgjencë dhe e ka ndjekur, dyshoi për epilepsi dhe më pas encefalit. Ajo i ka qetësuar familjarët se vajza do të bëhej shumë shpejt mirë dhe krizat do të kalonin. Por në të vërtetë, situata e të miturës, që nga ora 9:15 minuta kur ka mbërritur në spital ka ardhur duke u përkeqësuar.
‘Pas 10 minutash vajza reagoi, erdhi në vete, filloi të qante, fole me ta, jepte përgjigje shumë të sakta. Mirëpo kishte kriza jashtë mase të fuqishme, dhimbje të forta. Ankohej se i dhimbte koka, pastaj binte pa ndjenja sërish dhe zgjohej për 2 min dhe reagonte më dhemb koka, qafa më dhemb i gjithë trupi’ u shpreh Donika Bardhi, mamaja e 12-vjeçares.
Familja pretendon se, pavarësisht gjendjes së rënduar me kriza të forta dhe rënies së nivelit të oksigjenit, doktoresha e kaloi vajzën nga urgjenca në pavijonin normal të pediatrisë.
“Çdo 2 minuta vajza zgjohej me kriza të forta, sytë i hapte shumë. U mblodhëm të gjithë dhe këmbëngulëm, i thamë doktoreshës ta çojmë në Tiranë. ‘Jo’, – na thoshte, – ‘nuk ka gjë, do bëhet mirë’. E kanë pyetur për rrezik për jetën: ‘A ka rrezik për jetën vajza?’ ‘Jo’, – ishte përgjigja e doktoreshës, – ‘nuk ka rrezik për jetën’, me një siguri që të bindte”, u shpreh Donika Bardhi, mamaja e 12-vjeçares.
Duke parë që gjendja shëndetësore e të miturës ishte e rëndë dhe mjekja nuk kishte ende një diagnozë, ata kanë këmbëngulur që vajzës t’i bëhej një skaner.
“Pse s’i bëni një skaner? Me çfarë e kuroni? Çfarë ka? Jam mes epilepsisë dhe encefalitit, por do presim. Si mund të prisje në atë rast kaq urgjent? Fëmija nuk po përmirësohej”, u shpreh Donika Bardhi.
“Doktoresha është shprehur që ‘më gënjyen parametrat e saj, që i kishte në rregull’. Si mund të shkojë një doktoreshë me hamendësime? Ku e gjeti ajo gjithë atë siguri, që e mbajti fëmijën tim deri në momentin e fundit?”, vijon Donika Bardhi.
Familjarët pretendojnë se vajza e tyre nuk u trajtua siç duhet. Ata thonë se doktoresha u largua në orën 14:30, duke e lënë pacienten me oksigjen shumë të ulët dhe parametra jonormalë. Pas këmbënguljes së familjes, në orën 17:00, e mitura iu nënshtrua skanerit.
“Në momentin që bënë skanerin, tha: ‘Gjak në tru’. Ndoshta Zoti vajzën edhe mund të ma kishte marrë, por kush ma mbush mendjen mua se, nëse do të ishte bërë një skaner më herët, do t’i ishte dhënë ndihma dhe vajza ime mund të ishte gjallë sot? Dhe unë këtë e kam peng”, u shpreh Donika Bardhi.
Ata kanë kërkuar disa herë takim me doktoreshën pas vdekjes së vajzës, por familja Bardhi thotë se ajo i ka shmangur. Kjo i ka bërë edhe më dyshues lidhur me trajtimin e dhënë në spital në orët kritike.
“Një ballafaqim, një takim, të pranojë paaftësinë e saj. Mënyra arrogante është shenjë e një paaftësie të madhe. Të paktën të mos marrë në qafë jetë të tjera”, shtoi Donika Bardhi.
Çifti Bardhi pretendon se vajza është neglizhuar në spital. Ata janë në pritje të rezultateve të autopsisë për ta ndjekur rastin edhe në rrugë ligjore.
“Për mua ajo (mjekja) ishte si Zoti, por në momentin që s’e përcakton dot (sëmundjen), të kishte kërkuar ndihmë. Ke të bësh me një jetë njeriu. Fëmija im nuk ishte e tepërt, ishte drita e syve të mi”, u shpreh me lot në sy Donika Bardhi.
Inside Story u interesua pranë Prokurorisë së Durrësit për këtë çështje, e cila bëri me dije se që në datë 19 shkurt ka regjistruar një procedim penal për rastin dhe ka nisur një hetim nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.
Nga ana tjetër, Spitali i Durrësit nuk iu përgjigj interesimit të Inside Story në lidhje me mënyrën se si u trajtua e mitura dhe pretendimet e familjarëve për neglizhencë.
Lini një Përgjigje