
Mëngjesi është kontraktuar nga 8 familje, për një proces gjyqësor lidhur me pronësinë e tokave ku u ndërtuan kullat te diga e Liqenit Artificial...
Zbardhet dinamika e plotë e dhunës ndaj avokatit Sokol Mëngjesi. Policia njoftoi se kemi të bëjmë me një sherr lidhur me një gjyq pronësie. Sipas të dhënave, personi i cili ka porositur dhunën është Dritan Nano, njëri nga shumë personat që fituan miliona falë avokatit Mëngjesi.
Ky i fundit u kontraktua nga 8 familje, për një proces gjyqësor lidhur me pronësinë e tokave ku u ndërtuan kullat te diga e Liqenit Artificial nga oligarku Bashkim Ulaj. Avokati e fitoi gjyqin në të dyja shkallët. Por në fund familja e Dritan Nanos ka refuzuar të paguajë avokatin në bazë të marrëveshjes që kishin bërë në fillim, ndryshe nga 7 të tjerët.
Mëngjesi, ka hapur proces gjyqësor ndaj tij dhe më pas ka fituar gjyqin. Përmbarimi ka bërë bllokimin e pronës së Nanos. Një muaj më parë ata janë takuar dhe nuk kanë arritur të zgjidhin konfliktin. Avokati është kërcënuar që nga ai takim, por e ka anashkaluar. Sot ai u sulmua në mënyrë barbare dhe ndodhet në gjendje të rëndë në spital.
Sulmi ndodhi sot në mëngjes, ku avokati u sulmua barbarisht sapo la fëmijën në kopsht. Autorë të sulmit janë Elton Kasaj, Drivald Alia, Dorian Alia dhe Romario Tabaku. Ky i fundit ka transportuar me makinë 3 dhunuesit. Dorian Alia u dorëzua në polici, ndërsa policia jep 20 mijë euro për kapjen e 3 të tjerëve. Mësohet se një prej tyre është dhëndri i Dritan Nanos.
Mësohet se Mëngjesi ka fraktura në kokë dhe dëmtime të tjera në trup. Për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, avokati është futur në intubim dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Traumës.
Deklarata e policisë
Jam sot këtu për të bërë me dije opinionin publik për masat e marr nga ana e Policisë në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur ditën e sotme më datë 29.05.2024, rreth orës 08:50, ku në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, në rrugën “Pjetër Bogdani", tre persona kanë goditur me sende të forta shtetasin Sokol Mëngjesi, 45 vjeç, banues në Tiranë, me profesion avokat.
I dëmtuari është dërguar menjëherë në spital për dhënien e ndihmës mjekësore dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 dhe Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, organizuan punën policore për marrjen e informacionit mbi autorët e mundshëm të kësaj ngjarjeje, ku nga tërësia e veprimeve gjurmuese dhe precedurale, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është bërë i mundur identifikimi i autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje kriminale, konkretisht shtetasve:
- Dorian Beqir Alia, 32 vjeç, banues në Tiranë, i cili është vetëdorëzuar në Polici;
- Drivald Sokol Alia, 21 vjeç, banues në Tiranë;
- Elton Ndue Kasaj, 33 vjeç, banues në Tiranë;
- Romario Roberto Tabaku, 26 vjeç, banues në Tiranë (i cili ka larguar autorët nga vendi i ngjarjes me automjetin tip Audi me targë AB 696 JT).
Nga veprimet hetimore rezulton se i dëmtuari Sokol Mëngjesi me profesion avokat, është goditur për shkak të dëtyrës. Po nga veprimet hetimore rezulton se avokati ka përfaqësuar ligjërisht në një proces civil në shkallë të parë dhe në apel një familje e cila kishte të trashëguar një pronë në qytetin e Tiranës, proces i cili është fituar nga pala e përfaqësuar prej tij. Disa nga trashëgimtarët nuk kanë pranuar të plotësojnë kushtet ligjore të kontratës së nënshkruar me Studion Ligjore “ALTERUM SHPK”.
Po në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale është shoqëruar shtetasi Dritan Jani Nano, 58 vjeç, banues në Tiranë, i cili u ndalua me iniciativë i dyshurar si organizator i kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale.
Materialet do ti kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprën penale “Vrasja e funksionarëve publik”, mbetur në tentativë, parashikuar nga nenet 79/a dhe 22 të Kodit penal.
Ndërkohë Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, e mbështetur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Forcat Speciale RENEA, Forcat Kombëtare të Sigurisë, vazhdojnë operacionin për kërkimin, lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, kërkon ndihmën e publikut për lokalizimin dhe kapjen e autorëve dhe për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e autorëve vë në dispozicion shumën prej 20 000 Euro, informacioni mund të jepet në numrin telefonik pa pagesë 112 si dhe në numrin celular +355694111546 (Informacioni mund të jepet në telefon ose WhatsAapp).
Lini një Përgjigje