
Kryeministri Edi Rama tha se modernizimi i administratës është thelbësore, ndërsa shtoi se përformanca e administratës është misioni i përbashkët.
Këto deklarata Edi Rama i bëri gjatë prezantimit të planit të motivimit të administratës publike.
“Nëse ka një vlerë të posaçme sot ky takim pas fillimit të procesit që udhëhiqet nga Adea për rienergjizimin e Administratës Publike është fakti që sikundër ju e patë, nisma ka një element thelbësor në të gjithë mënyrën se si është projektuar. Sa më shumë të përmirësohen, aq më shumë secili mund të presë nga vetja dhe nga ne. Në dukje duken gjëra të vogla, njeriu thotë ‘pse nuk janë bërë më parë’. Pikërisht sepse nuk është ndjekur më parë një praktikë e tillë, shefave që marrin vendime u duken të vogla. E kanë të vështirë ta kuptojnë se numërimi në orën 8 të mos kthehet në një akt formal të gjoja disiplinës”, u shpreh Rama.
Më tej kryeministri risolli në vëmendje një debat me një koleg që i kishte fiksim t’i kapte punonjësit me vonesë, ndërsa theksoi se për Ramën fleksibiliteti në orarin e punës është jo vetëm normal të konsiderohet, por sot është edhe i mundur.
“Dikur kam bërë debat me një koleg që i kishte fiksim t’i kapte punonjësit te dera në orën 08:01. Eksperienca ime ishte ndryshe. Gjëja kryesore për mua ishte të ndjerit e stafit si pjesë e një pune të përbashkët. Si pjesë e misionit, një arsyeje të përbashkët. Dhe jo si pjesë e një rutine me një disipline formale që ta heq qejfin e ditës së punës. Pra fleksibiliteti në orarin e punës është jo vetëm normal fare të konsiderohet, por sot është i mundur edhe për një arsye tjetër. Ka qenë dhe e pamundur ta mendoje fleksibilitetin në punë për shkak të një numri të madh punonjësish të angazhuar në shërbime të drejtpërdrejta te qytetarët. Shumica e shërbimeve jepen online. Ne nuk kemi sportele. Janë 90 % e proceseve që sot janë online”, tha Rama.
Lini një Përgjigje