TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet22 Mars 2026, 20:53

Molotovë, përplasje dhe marshim, mbyllet pas dy orësh protesta e opozitës

Shkruar nga Pamfleti

Molotovë, përplasje dhe marshim, mbyllet pas dy orësh protesta e

Pas rreth dy orësh marshim rrugëve të Tiranës është mbyllur protesta e thirrur nga Partia Demokratike. Tubimi ishte një fotokopje e protestës së organizuar më 28 shkurt; asnjë fjalim, por molotovë e fishekzjarrë ndaj institucioneve dhe marshim rrugëve të kryeqytetit. 

Protesta e opozitës nisi para godinës së Kryeministrisë. Aty u hodhën molotovë dhe fishekzjarrë në drejtim të godinës së Qeverisë, me policinë që u përgjigj me gaz lotsjellës dhe autobotët me ujë. Kjo bëri që turma të shpërndahej dhe të niste marshimin në drejtim të Ministrisë së Brendshme.

Edhe në këtë institucion protestuesit u përplasën me kordonin e policisë, ndërkohë që nuk munguan molotovët dhe fishekzjarrët. Policia sërish e shpërndau turmën me anë të gazit lotsjellës dhe ujë.

Synimi i radhës i protestuesve të opozitës u bë selia e Partisë Socialiste, e cila ishte rrethuar nga forca të shumta policie. Edhe pse në pamundësi për t’u afruar pranë selisë, protestuesit e opozitës nuk i kursyen molotovët, të cilët arritën në pranë oborrit të selisë.

Protestuesit tentuan më pas të shkojnë pranë ish-vilës së diktatorit Enver Hoxha, por u ndaluan nga policia, e cila kishte bllokuar rrugën. Edhe tentativa për të shkuar në drejtim të Kuvendit dështoi, pasi policia kishte marrë masat që protestuesit të mos i afroheshin godinës së Kuvendit. Në këto kushte, drejtuesit e PD-së, me në krye Sali Berishën, u detyruan që të mbyllin protestën dhe të drejtoheshin për në selinë e PD-së.

Pas mbërritjes në seli, Berisha mbajti një fjalim mbyllës. Ai tha se marshimet do të vijojnë dhe se beteja kundër Ramës do të jetë më e fuqishme.

“Përshëndetje dhe mirënjohje të pakufishme për guximin tuaj. Nderuat më shumë se kurrë këtë datë historike, përmbysjen e diktaturës 34 vite më parë. I dhatë goditjen më të merituar diktaturës sot. Ishte betejë e shkëlqyer, ju garantoj se tjetra do të jetë më e shkëlqyer. Kjo demostratë tejkaloi çdo lloj projekti, tjetra do jetë akoma më e shkëlqyer. Nuk ka paq më, bravo, mirënjohje ndaj jush”, tha Berisha.

Lini një Përgjigje