
AKU kontrolle në tregje, por nuk ka asnjë gjurmë të filetove...
Mishi i pulës me përmbajtje salmonele dyshohet se është konsumuar i gjithi. Rreth 8 ton fileto përfunduan në treg, por pas kontrolleve që u bënë më pas nuk është gjetur asnjë gjurmë e tyre.
Që prej datës 21 Mars kur ISUV konfirmoi praninë e bakterit në ngarkesën prej 7.8 ton fileto pule, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nisi kontrolle në njësitë tregtare me qëllim bllokimin e produktit.
AKU ka thënë për mediat se grupet e inspektimit u shtrinë në 10 qarqet ku ishte shitur mishin madje në të gjitha njësitë tregtare janë vendosur njoftime me foto të produktit për të informuar konsumatorin qe në rast se e kanë blerë këtë mish të mos e konsumojnë. Por deri më tani nuk është bërë asnjë konstatim dhe dyshimi është se mishi është konsumuar.
Sasia prej 7.8 tonë mish pule e importuar nga Brazili mbërriti në Portin e Durrësit më 11 Mars, dhe pas analizave të kryera pranë Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë më 21 Mars, u konfirmua prania e bakterit të rrezikshëm në mishin e ngrirë të pulës. Problemi, sipas AKU, u thellua më tej nga fakti se kompania importuese 'AMG Food' ka paraqitur fatura fiktive, duke penguar gjurmimin e saktë të produktit të kontaminuar në treg. Prandaj ajo është kallëzuar në prokurori. Po ashtu është kërkuar që t’i hiqet licenca kompanisë.
Kjo u bë ë ditur nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë, Dritan Palnikaj, i ftuar në një emision. “Roli i AKU është të mbikëqyrë procedurën dhe për të garantuar sigurinë ushqimore. Në rastin konkret, roli i AKU ka qenë proaktiv. Do të thotë që ka ndërmarrë një sërë hapash të njëpasnjëshme që me marrjen e mostrave, ka vijuar me kontrollet dhe inspektimet, gjurmueshmërinë në 12 qarqe. Ka pasur bashkëveprim me Hetimin Tatimor dhe Policia e Shtetit. Ka nisur një auditimi për punonjësit dhe ka referuar subjektin që ka pasur këtë produkt. AKU ka bërë referimin në prokurori dhe ka vendosur bllokimin për pjesën e sasisë së gjetur. Kompania është privat, por detyrimet për ti përmbushur ndaj publikut i ka publike, prandaj është në Prokurori. Detyrimet për të zbatuar ligjin, i ka me institucionet dhe ne shkeljet i kemi referuar në Prokurori. Edhe në rastin konkret është kërkuar nga AKU pezullimi i licencës”, tha Palnikaj.
Për rastin, Policia e Tiranës shpalli në kërkim Arben Goxhan pronarin e kompanisë AMG Food, i cili më 11 mars importoi nga Brazili gati 8 tonë mish pule të kontaminuar me salmonelë, që përfundoi në treg duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve dhe që ende nuk është tërhequr e gjithë sasia. Në hetim në gjendje të lirë, policia tha se vuri vëllain e tij, Mondi Goxha, pronar i kompanisë “Dimal” që merr mishin e papërpunuar të pulës nga AMG për të prodhuar produkte të ndryshme.
Lini një Përgjigje