
Enriko Ceko, ekspert i sigurisë ushqimore, thotë se i sistemi i kontrollit mbi zinxhirin e furnizimit me ushqime nuk funksionon.
Ceko tha se është detyra e AKU-së të kryejë kontrollet mbi produktet ushqimore të importuara.
'Në ekonominë shqiptare nuk ka konkurrencë. I gjithë tregu është përqendruar në disa duar që kontrollojnë kërkesën dhe ofertën. Kur flasim për ushqimet, kuptojmë cilësinë. Por ka më shumë, ka edhe sigurinë dhe garancinë ushqimore. Kjo është çështje e sigurisë kombëtare. Sot lufta nuk bëhet vetëm me armë, bëhet edhe përmes ushqimit, edhe përmes ajrit me inceneratorët. Lufta bëhet edhe duke helmuar ujin. Cilësia klasifikon produktet. Pra, kur shkon në treg, ti e blen atë për disa karakteristika. Garancia është ajo që lidhet me konsumin, pra kur shkojmë në shtëpi dhe e hamë, të mos na bëjë dëm. Ne nuk e kemi shansin që përgjatë gjithë zinxhirit të furnizimit të kemi sistemin e kontrollit. Ne kontrollojmë pika të caktuara dhe me to ne kontrollojmë gabim. Ne kontrollojmë stabilimentet e mëdha. Pse budallenj janë ata që të bëjnë gabime në prodhim?
Mallrat e importuara duhet të kenë certifikatën e shoqërimit të mallit. Detyra e importuesit është të njoftojë autoritetet shqiptare para se të bëjë importin. Është detyra e AKU të shkojë të marrë mostrën. Nëse analiza del në rregull, lejohet të futet malli. Tani ne arrestojmë pronarin e kompanisë importues. Çfarë lidhje ka administratori këtu? Ku janë punonjësit që kanë vënë firmën që ky produkt të hyjë dhe të hidhet në treg.', tha ai në studion e MCN.
Ceko shtoi se AKU është kthyer në një institucion të politizuar që nuk kryen dot funksionin që i ngarkon ligji.
'AKU ka vetëm 200 inspektorë. Pjesa më e madhe nuk janë të zanatit. Në AKU janë të paktën 5 persona me doktoraturë dhe shefi i tyre është me bachelor. Pra, shefi injorant kontrollon këta.
Nuk ka laborator në pikat doganore. Produkti pret në doganë sa bëhen analizat në Tiranë. Ai mund ta ketë marrë salmonelën në doganë.
Në 90% e atyre që kapen i kap policia, nuk i kap AKU. Shkojnë kapin një subjekt, ai thotë po punoj këtu po nuk kam licencë. Meqë nuk ka licencë, edhe në gjyq, gjyqtari i thotë mbylle atë punishten. Po ai duhet të shkojë në burg. Ka shkelur ligjin, ka shkelur disa ligje njëkohësisht.', theksoi eksperti.
Sipas informacioneve skandali është se konsumatori u njoftua nga AKU 1 javë pas analizave që faktuan prani të salmonelës në mishin e pulës, ndërkohë që theksojmë se AKU e ka mbajtur të fshehtë emrin e kompanisë që e importoi.
AKU referoi për hetim në Prokurorinë e Tiranës kompaninë, për mosrespektim të kritereve të gjurmueshmërisë dhe dhënie të informacionit të pasaktë pasi ka dyshime se të tjera sasi importonte nga jashtë e të tjera deklaronte. Mishi i pulës mbërriti në portin e Durrësit më 11 mars. Në një kontroll rutinë AKU mori mostra për t’i analizuar, dhe thotë se njoftoi kompaninë AMG Food, të mos e nxjerrë produktin nga kontejnerët frigoriferikë në port, deri në daljen e përgjigjes, të cilën laboratori i ISUV e nxori më 21 mars.
3 inspektorë të AKU-së po hetohen në gjendje të lirë për ‘Shpërdorim detyre’ Gëzim Hushi, Sada Lufta, Aldo Sinjari të cilët sipas policisë kanë lejuar futjen në treg të mishit me bakterin e salmonelës.
Lini një Përgjigje