
Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e kaluar në Maliq, ku mësuesi 55-vjeçar Alban Bejleri ka humbur jetën si pasojë e një infarkti.
Xhaxhai i tij ka deklaruar se Albani ishte një njeri i veçantë, punëtor dhe besimtar. Besim Bejleri tregoi se ai përshkonte rreth 7 kilometra çdo ditë për të shkuar në punë vetëm për dy nxënës, ndërsa u bëri thirrje politikanëve që personat me probleme shëndetësore duhet të punojnë pranë familjes së tyre.
“Nga familja jonë jemi 17 mësues, por ai ishte ndryshe: fjalëpak, punëtor dhe besimtar. Ishte shumë i përkushtuar ndaj nxënësve. Politika të heq nga puna dhe të rikthen, këto gjëra dihen.
Ai nuk ishte në punë për një periudhë, dhe kur e rikthyen, e dërguan në një zonë të thellë në Maliq. Kishte kërkuar të transferohej në Devoll, por kjo nuk ndodhi deri tani.
U bëj thirrje të gjithë politikanëve, pa dallim, që njerëzit e sëmurë duhet të qëndrojnë pranë familjes. Ai ndërroi jetë në mes të rrugës dhe la një mesazh të madh. Kujdes me shëndetin e njerëzve, mos e neglizhoni.
Ishte i arsimuar me dy universitete dhe kishte qenë për një kohë pa punë. Kishte rreth 5-6 vite që ishte rikthyer në punë. Nuk ankohej asnjëherë dhe bënte çdo ditë rreth 7 km për të shkuar dhe për t’u kthyer nga shkolla. Punonte vetëm për dy nxënës,” u shpreh ai.
Nga ana tjetër, kushëriri Muhamer Meka tregoi se mësuesi vuante nga diabeti dhe kishte 30 vite përvojë në arsim, duke punuar në fshatin Marjan.
“Ishte njeri i mirë dhe shumë korrekt. Ka qenë mësues për 30 vite. Fillimisht punoi në Bilisht dhe më pas e transferuan në Marjan. Sipas tij, kjo ndodhi për arsye politike. Ai e përshkonte çdo ditë rrugën dhe kishte dy fëmijë. Vuante nga diabeti,” tha kushëriri.
Ndërsa shoku i tij, Myfti Staro, u shpreh se transferimi i tij në fshatin Marjan ishte bërë për arsye politike.
“E larguan për arsye politike, pasi ishte i djathtë. Kishte një karrierë të gjatë në arsim. Përshkonte rreth 8 km në këmbë; e linte makinën dhe vazhdonte rrugën në këmbë drejt fshatit,” u shpreh ai.
Lini një Përgjigje