TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet27 Shkurt 2025, 17:32

Mandarinat me pesticide, Gjykata lë në burg 3 të arrestuarit; fermeri: M’u thye zemra kur i hodha në landfill

Shkruar nga Pamfleti

Mandarinat me pesticide, Gjykata lë në burg 3 të arrestuarit;

Gjykata e Beratit ka lënë në fuqi masat e arrestit për tre personat e ndaluar që dyshohet se hodhën në treg 21 ton mandarina të ndaluara për tregtim, të kthyera nga Kroacia, për shkak të nivelit të lartë të pesticideve.

Gjykata e Beratit e konsideroi të vlefshëm arrestimin dhe vendosi masën e arrestit me burg për të tre të ndaluarit: Arben Dyli, grumbullues, Elton Tafaj, fermer, Elson Tahiraj, inspektor shteti.

Prokurorja Malvina Pëllumbi kërkoi në gjykatë që ndaj 3 personave të lihej në fuqi masa e sigurisë arrest me burg, kërkesë që u pranua nga gjyqtari Ilirjan Hysa.

Gjatë seancës, avokatët mbrojtës i cilësuan të ndaluarit si viktima të konkurrencës tregtare, duke pretenduar se qëllimi ishte dëmtimi i tregtarëve vendas. Avokati mbrojtës i Arben Dylit madje hodhi dyshime mbi vërtetësinë e analizave të autoriteteve kroate.

Në dëshminë e tij para trupit gjykues, eksportuesi Arben Dyli u shpreh se nuk ishte në dijeni se duhej të njoftonte AKU-në pas kthimit të produktit nga Kroacia. Ai njoftoi fermerët, një nga Goriçani dhe një tjetër nga Saranda, për të marrë mallin e rikthyer.

Fermeri i arrestuar Elton Tafaj deklaroi se AKU i kishte komunikuar se mandarinat ishin të prishura dhe për këtë arsye ai i kishte hedhur në landfillin e Dimalit. "M’u thye zemra kur i hodha, sepse ishte djersa ime," tha Tafaj.

Pavarësisht argumenteve të mbrojtjes dhe deklaratave të të arrestuarve, Gjykata vendosi masën e arrestit me burg për të tre të ndaluarit.

Lini një Përgjigje