
Pavarësisht problemeve me ligjin, ndërtuesi Fatmir Bektashi vijon normalisht biznesin, duke hapur dita-ditës kantiere, ndërsa rrugët janë degraduar...
Një lagje e tërë është ndërtuar në zonën e “Ali Demit”, ku deri më tani janë dhënë plot 50 leje për të ndërtuar pallate, fillimisht me projektin “Mangalem 21”, duke ndërtuar 33 pallate, më pas “Kaimi” dhe “Kadiu”, të cilat kanë mbushur të gjithë kodrën me ndërtime. Projekti fillestar u reklamua edhe nga kryeministri Rama, teksa më vonë rreth tij u bënë edhe pallate të tjera, duke e kthyer të gjithë zonën në një masiv të madh betoni.
Aktualisht, nga llogaritjet e bëra, rezulton se pallatet kanë rreth 3000 apartamente, ku nëse i kthen në numër banorësh, mund të shkojë deri në 10 mijë. Aq sa një qytezë në Shqipëri, si Rrogozhina, Dimali apo edhe Tepelena. Por, ndryshe nga këto qyteza ku ka pasur një infrastrukturë rrugore, arsimore apo shëndetësore, në gjë e tillë mungon në të gjithë zonën. Pavarësisht problemeve me ligjin, ndërtuesi Fatmir Bektashi vijon normalisht biznesin, duke hapur dita-ditës kantiere.
Ai është mësuar me lobime të fuqishme për të marrë këto leje, por a ka bërë ndonjë studim qeveria apo edhe Bashkia e Tiranës për infrastrukturën e të gjithë zonës? A ka në plan për të ndërtuar ndonjë rrugë hyrëse apo dalëse për në kompleks, duke qenë se Bektashi ka shitur edhe parkimet anës rrugës? Por, më skandalozja është rruga hyrëse dhe dalëse për në të gjithë zonën.
Gjendja e rrugës “Pasho Hysa” është në gjendje tepër të amortizuar. VoxNews bëri një vëzhgim të segmentit, nga kryqëzimi i rrugëve “Pasho Hysa” e “Ali Demi”, deri në hyrjen e kompleksit. Siç duket qartë në video, rruga është e ngushtë dhe njëkalimëshe, megjithëse është me dy sense lëvizje. Në një pjesë të saj, makinat duhet të presin makinat që vijnë përballë, teksa në orët e pikut, mëngjesin dhe pasditen, rruga bllokohet totalisht nga automjetet.
Gropat e mëdha kanë zëvendësuar asfaltin, por nuk ka asnjë trotuar apo ndriçim. Megjithëse pallatet janë në zgjatim të lagjes së vjetër “Ali Demi”, sërish infrastruktura është skandaloze, megjithëse qeveria vijon të japë leje.
Pamjet s’kanë nevojë për koment, pasi kamera e VoxNews kapi momentin që edhe nënat me karroca për fëmijë s’kanë ku të kalojnë. Ato detyrohen të lëvizin në qendër të rrugës, sërish me gropa dhe shumë e vështirë për të kaluar. Por, më skandalozja është se, kompleksi vijon të shtohet dita-ditës dhe nga ana tjetër deri më tani s’është hapur ndonjë rrugë e re hyrëse apo dalëse.
Mundësitë janë, por siç duket të gjithë e kanë mendjen të firmosin leje të reja sesa të bëjnë studime dhe të hapin tendera për infrastrukturë. Mundësia e parë është zgjerimi i rrugës “Pasho Hysa”, shtrimi i saj me të gjitha parametrat. E dyta është hapja e një rruge të re, ngjitur me ish-Burgun e Grave, ku do të mundësohej që të shkurtohej distanca. Mundësia e tretë është nga pjesa e Xhamisë së “Ali Demit”.
Por, siç duket të gjitha mundësitë do të zvarriten për vite me radhë, pavarësisht se sipas ligjit, i gjithë ai komunitet që paguan detyrimet për gjithçka të ketë rrugë, çerdhe, kopësht apo shkollë 9 – vjeçare. Madje, qeveria duhet të detyrojë ndërtuesin kontrovers që të bëjë një godinë për shkollën apo t’a detyrojë që paratë që mori nga shitja e parkimeve në sipërfaqe, në rrugët e kompleksit, ti përdorë për rrugë.
Në një kohë që pushteti qendror dhe lokal duhet t’a detyronte biznesmenin Fatmir Bektashin të bënte të gjithë ato të shkruara më sipër, vetë qeveria e “shpërblen” me një leje tjetër ndërtimi për pallat. Në kodrën sipër kompleksit “Mangalem”, në një territor shumë të pjerrët, Bektashi do të ndërtojë një tjetër pallat, të quajtur “Nokia”.
Pallati do të ndërtohet në afërsi të depos së ujit, në rrugën që lidh zonën e Ali Demit me zonën e Farkës. Një çmenduri arkitekture, duke qenë se e gjithë zona më parë ka qenë me banesa private dhe jo me pallate. Për më tepër, do të betonojë një tjetër pjesë të gjelbër, ndërkohë që sërish s’ka asnjë plan për rrugë. /Vox News
Kush fshihet mbas ketij njeriu ?? Si ka mundesi papërgjegjshmëri totale e atyre qe japin leje nuk planifikojnë Çerdhe kopsht shkolla 9 vjeçare e te mesme . Pa qender shëndetësore etj. Pa rruge pa uje pa drita.. A ka studime ?? Po keto njerez qe i blejnë a ja bejne pyetjen vetes ku do i marrin keto shebime baze per jeten??? Keto njerez qe firmosin keto leje a jane te përgjegjshëm apo ju erresohet mendja e syte nga parate e korrupsionit dhe bejne nje dem te pariparueshëm.per sot dhe qindra vite .qe do vijne.... Po e beni te pabanueshme vendin o njerez ..
Aty eshte bere e pa kalueshme me makine. Ne oret e pikut. Aty dhe ne cdo zone ne ndertim duhet te behej infrastruktura ne fillim pastaj te filloj zhvillimi i zones me ndertime. Kurse ne vendin tone si cdo gje dhe kjo anapulla.
Ky është kompleksi më skandal që mund të jetë ndërtuar ndonjëherë! Ai ka shitur për parkime hapsirat boshe që duhet të lëviznin njerzit, aty ku është ndërtuar rreshti pallateve që del në kodër filimisht u bë me brezare dhe u mboll me palma na thanë që ky rripi deri në kodër do të jetë hapsirë e gjelbër; nuk kaloj 5 vjet dhe ndërtua një rresht pallatesh që nuk ke nga të marrish ajër! Këto leja janë skandale as me burg as me varje të personave përgjegjës nuk ndreqen më, janë njësoj si ndërtimet pa lejë që janë pa plan urban e pa infrastrukturën e nevojshme! Kjo do të jetë lagja që do vuajë katrahurën që po ndërtohet në të ardhmen e afërt!