
Prokuroria e Fierit ka dërguar në gjyq kryeinspektorin dhe dy inspektorë të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit në Divjakë, të akuzuar për shpërdorim detyre.
Sipas dosjes hetimore në të paktën 31 raste funksionarët e IMT-së nuk ushtruan detyrimet ligjore për verifikimin dhe parandalimin e shkeljeve në territorin e Bashkisë Divjakë.
Prokuroria evidentoi se edhe në rastet kur janë konstatuar ndërtime pa leje, nuk është ndjekur procedura ligjore. Nuk janë dokumentuar shkeljet sipas rregullit, nuk janë vendosur gjoba, nuk është ndërhyrë për prishjen e objekteve dhe nuk janë referuar rastet për ndjekje penale.
Hetimi nxori gjithashtu se nuk janë ndërmarrë veprime për mbledhjen e gjobave administrative. Në disa raste janë tejkaluar edhe afatet e parashkrimit, duke sjellë një dëm ekonomik të drejtpërdrejtë në buxhetin e shtetit dhe të njësisë vendore. Për periudhën 2021 deri në 2022, dëmi i llogaritur arrin në 11,170,000 lek.
"Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq kryeinspektorin dhe dy inspektorët e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) Divjakë, për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’ parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Në përfundim të hetimeve mbi procedimin penal nr.346, rezultoi e provar se në 31 raste të hetuara nga prokuroria dhe të dërguara për gjykim për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, parashikuar nga neni 199/a i Kodit Penal, dhe të dënuara nga gjykata me vendime të formës së prerë, nga funksionarët e Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit, pranë Bashkisë Divjakë, nuk janë ushtruar përgjegjësitë ligjore për kontrollin e territorit, si detyrë funksionale e tyre.
Rezultoi po ashtu se edhe në rastet e konstatimit të kundërvajtjeve administrative të ndërtimeve pa leje, nuk është ndjekur procedura e rregullt ligjore, sipas parashikimeve të ligjit si konstatimi, vendosja e gjobës, prishja e objektit dhe kallëzimi penal.
Gjithashtu nuk rezultoi të jenë ndërmarrë veprime për vjeljen e masave administrative, duke tejkaluar edhe afatet e parashkrimit, çka ka sjellë një dëm real në buxhetin e shtetit. Nga hetimi u provua se dëmi ekonomik në buxhetin e shtetit dhe të njësisë vendore nga mosvjelja e gjobave për periudhën 2021–2022, është në vlerën 11,170,000 (njëmbëdhjetë milion e njëqind e shtatëdhjetë mijë) Lek.
Në përfundim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier dërgoi çështjen për gjykim kundër të pandehurve:
– R. L. – Kryeinspektor i Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit pranë Bashkisë Divjakë, akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248, i Kodit Penal.
– S. M. – Inspektor pranë Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit pranë Bashkisë Divjakë, akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248, i Kodit Penal.
– I. K. – Inspektor dhe ish-kryeinspektor pranë Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit pranë Bashkisë Divjakë, akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248, i Kodit Penal.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të punonjësve të shërbimit publik që kryejnë vepra penale të lidhuar me detyrën e tyre.", thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Lini një Përgjigje