TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet18 Prill 2026, 07:46

“Populli s’ka pse bëhet mish për top”, Mahmutaj kritikon protestën e PD: Pa kauza dhe pa efekt real

Shkruar nga Pamfleti

“Populli s’ka pse bëhet mish për top”, Mahmutaj

Protesta e radhës e Partisë Demokratike u mbajt ditën e djeshme, përpara Kryeministrisë, si një vijimësi e aksioneve të opozitës kundër qeverisë. Tubimi vjen në një periudhë tensioni politik, ku opozita synon të rrisë presionin ndaj mazhorancës.

Gazetari Fatos Mahmutaj ka folur lidhur me mënyrën e organizimit dhe efektivitetin e këtyre protestave. 

Sipas Mahmutajt, mungesa e kauzave të qarta e bën të vështirë mobilizimin e qytetarëve. Ai argumentoi se protestat duhet të mbështeten mbi çështje konkrete për të siguruar pjesëmarrje të gjerë dhe ndikim real në skenën politike.

Gazetari vuri në shënjestër edhe rolin e ish-kryeministrit Sali Berisha, duke e akuzuar se organizon tubime pa një objektiv të qartë dhe në funksion të interesave të ngushta politike. Ai theksoi se pjesëmarrja e ulët në protesta e zbeh ndikimin e tyre dhe e bën të pamundur arritjen e ndryshimeve të synuara.

Një tjetër shqetësim i ngritur lidhet me mënyrën e zhvillimit të protestave. Mahmutaj kritikoi oraret e tyre, si dhe përfshirjen e fëmijëve apo përballjet me forcat e rendit, duke i cilësuar këto elemente problematike.

“Njerëzit i nxjerr në shesh vetëm kauzat. Berisha i bën protestat natën, si punë kaçakësh. Berisha proteston një herë sa për t’u dukur, protestat zgjedh që t’i bëjë natën për të manipuluar numrin e vogël të mbështetësve. Pse me 50-60 vetë do e rrëzojë Berisha, Ramën?! Unë nuk arrij që ta konceptoj dot këtë lloj mendimi. Çfarë faji ka polici, që po bën detyrën e tij. Është një rast absurd përdorimi i fëmijëve për të mbuluar dhunën. Ndërkohë opozita e cila duhet të gjitha mundësitë për të organizuar shqiptarët në kauza, ajo ndërkohë nuk e di se ku është vetë. Berisha dhe familja e tij, protestojnë për hallet e veta. Protesta e PD, është pa kauza. Ç’kusur ka populli që t’u shkojë nga mbrapa dhe të bëhet mish për top. Berisha ushqehet vetëm me inatet e qytetarëve ndaj qeverisë”, tha Mahmutaj.

Mahmutaj theksoi gjithashtu se opozita duhet të rishikojë strategjinë e saj, duke u fokusuar në ndërtimin e kauzave të qarta dhe në organizimin më të gjerë të qytetarëve, nëse synon të ketë ndikim real në zhvillimet politike në vend.

Lini një Përgjigje