Efektivët kapin në befasi turmën pas molotovëve, përdoren shkopinj gome, gaz lotsjellës dhe spraj djegës; disa të lënduar përfundojnë në spital
Protesta e Partisë Demokratike përpara Kryeministrisë është përshkallëzuar në përplasje të forta mes policisë dhe protestuesve, ku ndërhyrja e forcave të rendit është shoqëruar me përdorim force dhe mjeteve shpërndarëse.
Sipas zhvillimeve në terren, menjëherë pas përfundimit të fjalës së kreut të PD, Sali Berisha, një grup protestuesish hodhi fishekzjarrë dhe molotov në drejtim të Kryeministrisë. Në atë moment, policia ka ndërhyrë në mënyrë të menjëhershme dhe të koordinuar nga disa drejtime, duke kapur në befasi personat që po hidhnin mjetet piroteknike dhe duke i neutralizuar.
Nga pamjet e siguruara nga vendi i ngjarjes, shihet qartë ndërhyrja e forcave speciale dhe “Shqiponjave”, të cilat futen në turmë dhe përplasen fizikisht me protestuesit. Në video duken efektivë që përdorin forcë fizike për të shtrirë në tokë dhe neutralizuar persona të ndryshëm.
Gjatë ndërhyrjes, sipas raportimeve nga terreni, policia ka përdorur shkopinj gome ndaj protestuesve, si dhe ka hedhur spraj djegës në drejtim të tyre, duke shkaktuar lëndime. Po ashtu, janë përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion për shpërndarjen e turmës.
Mes të dëmtuarve raportohen edhe disa përfaqësues të opozitës. Spraji djegës ka prekur rëndë deputetin Flamur Noka, si dhe Luçiano Boçin, Aulon Kalanë dhe Klevis Balliun. Sipas informacioneve paraprake, Boçi, Balliu dhe Kalaja janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore. Po ashtu dëme kanë marrë disa qytetarë të thjeshtë.
Ndërhyrja e policisë ka sjellë tensione të forta edhe me deputetët e Partisë Demokratike, të cilët kanë kundërshtuar veprimet e efektivëve në terren.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë momente të dhunës dhe përplasjes direkte, ku protestues dhe efektivë ndodhen në kontakt fizik, ndërsa situata mbetet e tensionuar.
Pa u zhdukur nga skena politike PENICILINA, pushtetin e mban plotësisht vetëm Abdyl Hamiti socialist, sot e sa të ketë frymë. Për këtë protestë Abdyl Hamiti do e shpërblejë Saliun që ndonëse virtualisht, është ende kapoja i opozitës, dhe bën punën e Partisë. Dobëson opozitën duke e asfiksuar deru në gjendje kritike, ndërkohë që Rama lumturohet për këtë shërbim dhe vazhon ti lëshojë një çikë litar për tërë ato mori akuzash.