Tensione janë shënuar gjatë protestës së Partisë Demokratike përpara Kryeministrisë, ku pas përfundimit të fjalës së kreut të PD, Sali Berisha, një grup protestuesish kanë hedhur mjete piroteknike dhe molotov në drejtim të godinës.
Në reagim të menjëhershëm, forcat e policisë, përfshirë njësitë speciale dhe efektivët e “Shqiponjës”, kanë ndërhyrë duke u futur në turmë dhe duke neutralizuar personat që po hidhnin mjetet. Sipas asaj që vihet re në terren, ndërhyrja ka qenë e shpejtë dhe e koordinuar nga disa drejtime, duke surprizuar protestuesit dhe duke ndalur përshkallëzimin e situatës.
Ndërhyrja e policisë ka sjellë edhe përplasje me protestues dhe përfaqësues të opozitës. Gjatë tensioneve raportohet se është dëmtuar deputeti Flamur Noka.
Situata në zonë mbetet e tensionuar, ndërsa forcat e policisë vijojnë të mbajnë nën kontroll perimetrin përreth Kryeministrisë, me qëllim parandalimin e incidenteve të tjera.
Lini një Përgjigje